Pas dorëheqjes si kryetar i LSI në Njësinë 11 në Laprakë dhe largimit nga strukturat e kësaj forcë politike për tu bashkuar me Partinë Socialiste të Shqipërisë, Gentian Arapi ka shpjeguar dhe motivet që e shtynë drejt këtij vendimi. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Arapi shprehet i zhgënjyer nga arroganca me të cilën i është shpërblyer e gjithë puna dhe kontributi i tij në krye të degës së LSI Laprakë.
Postimi i plotë i ish-kryetarit të LSI në Njësinë 11, Gentian Arapi: Me shumë përkushtim dhe besim përgjatë këtyre 6 viteve kam dhënë kontributin tim në strukturat e LSI së Laprakës. Jam njohur me shumë anëtarë të vjetër dhe të rinj që ashtu sikur unë kanë dhënë shpirtin në ngritjen e këtyre strukturave dhe kanë punuar pa interes krah meje duke më besuar për një të ardhme më të mirë të këtij komuniteti. I jam mirënjohës secilit prej jush për punën dhe vendosmërinë që keni treguar në fushatat që kemi bashkëudhëhequr dhe ju falenderoj përzemërsisht që keni besuar tek Genti. Në të dy fushatat e zhvilluara, LSI Njësia 11 Laprakë, ka marrë rezultate të paarritura më parë dhe secili prej nesh është i vetëdijshëm për punën e palodhur, angazhimin natë e ditë dhe përkushtimin tonë për të qenë gjithmonë të gatshëm për të mbushur sheshe dhe salla për të dalë ballëhapur ndaj kauzave tona. Ndihem i fyer që mesa duket gjithë kjo punë dhe ky angazhim i painteres i imi personal, i familjarëve të mi dhe i të gjithë njerëzve që më kanë mbështetur, i secilit prej jush, thyhet përballë një arrogancë të pakuptimtë.
Ashtu siç kam njoftuar edhe strukturat e mia më të afërta ju bëj me dije se nga ky moment nuk do te jem më pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe as Kryetar i LSI njësia 11 Laprakë. Jap dorëheqjen time me bindjen se ajo qe na bashkon është puna dhe Mirënjohja minimale që na motivon të ecim përpara dhe ato qe na ndajnë janë parimet mbi të cilat ngrihet një punë dhe realizohet një kontribut dhe mosmirënjohja. Sigurisht që si individ nuk jam rritur në LSI, por kam njohur shumë të rinj që angazhimin e tyre të parë e kanë besuar tek ne dhe për ju që më njihni dhe keni dëgjuar për mua ju them se me keni përsëri pranë jush për çdo shqetësim apo gëzim tuajin. Mirënjohja dhe respekti im për ju të dashur simpatizantë, për punën tuaj, përkushtimin dhe mbështetjen që me keni dhënë ndër vite nuk do të zbehet asnjëherë, pasi në fund, ajo çfarë mbetet është njeriu dhe jo ambicia për pushtet. Me respekt Genti!