Në kantierin e rindërtimit të shkollës nëntëvjeçare, në Petrelë, njëra nga 14 shkollat e reja të Tiranës që po ngrihen puna po vijon me ritme të larta për të rikthyer sërish nxënësit e mësuesit pranë saj. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot këtë kantier. “Kantieri i rindërtimit të shkollës nëntëvjeçare, në Petrelë, njëra nga 14 shkollat e reja të Tiranës që po ngrihen më të mëdha, më të sigurta e shumë më të bukura dhe po e kthejnë me shpejtësi faqen e infrastrukturës arsimore në krejt zonën e prekur, duke e shndërruar fatkeqësinë e madhe në një mundësi të jashtëzakonshme për fëmijët, mësuesit, familjet, komunitetet, për të dalë shumë më të fortë se ç’ishim para tragjedisë”, deklaroi kryeministri.
Shkolla është e ndarë në tre korpuse dhe do të mund të përdoret edhe si qendër komunitare. Shkolla do të jetë gati të hapë dyert me 1 mars. Veliaj e njohu kryeministrin Rama me ecurinë e procesit të ndërtimit të shkollave në Bashkinë e Tiranës, si dhe të punimeve për ndërtimin e pallateve.
“Janë 14 shkolla që do të hapen në Tiranë dhe janë edhe disa shkolla që janë projekt i përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë që janë shkollat me PPP. “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” janë dy shkolla të mëdha prej 10 mijë metrash katror te Don Bosko. Në Institutin Bujqësor kemi shkollën “Nënë Tereza” dhe “Kennedy” që hapen në muajin mars. Ndërsa po vijon me ritme të shpejta shkolla “Andrea Stefani” pranë sheshit “Shqiponja” . Me hapjen e galerive poshtë të sheshit do të hapet edhe shkolla”, tha Veliaj. Në zonën e Astirit, tha Veliaj, nis një tjetër shkollë. Veliaj u shpreh se në shkollën “Sami Frashëri” ka përfunduar pilotimi dhe nis hedhja e betonit.
Sipas tij , kanë kaluar në Këshillin e Ministrave edhe vendimet për ndërtimin e dy lagjeve të reja në Vaqar dhe Pezës. Në Kombinat, theksoi Veliaj, do të hapet edhe një zyrë komunikimi me qytetarët për të sqaruar mënyrën se si do të funksionojë rindërtimi në këtë zonë. Në këtë zonë, informoi Veliaj, para se të niste rruga çmimi i tokës shkonte 10 mijë lekë metri katror, ndërsa kur të mbarojë rruga të ndërtohet infrastruktura llogarite të shkojë mbi 70 mijë lekë metri katror.