Pak ditë pas deklaratave ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç, të cilin e quajti “këlysh i Rusisë”, Ministrja e Punëve të Jashtme në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla, thotë se llogaria e saj në Facebook është hakuar dhe bllokuar.
Lajmin e konfirmoi vetë ajo me anë të një postimi në Twitter, ku shprehet se kjo i ka ndodhur pas deklaratës për presidentin serb Aleksandar Vuçiçin, të cilin e quajti “këlysh i Rusisë”.
“Politika e këlyshëve rusë’ më la pa hyrë në llogarinë time të Facebook”- shkruan ajo.
Presidenti serb kishte deklaruar se nëse nuk do ketë marrëveshje me anë të dialogut me Kosovën, mund të niste edhe lufta mes dy vendeve.
Vuçiçi e krahasoi konfliktin me Kosovën, me atë që po ndodh mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Pas deklaratave të Vuçiçit, ministrja Haradinaj reagoi ashpër, duke e quajtur atë “këlysh të Rusisë”. Sipas saj, ai po kërcënon jo vetëm Kosovën, por të gjithë NATO-n.
“Politikat e këlyshit të Rusisë dhe qasja e tij është qartësisht kundër vlerave të BE-së dhe NATO-s si dhe politikave të sigurisë në Ballkan”, shkruante Stublla në Twitter.
Ajo shtonte: “Pasi nxiti luftimet në Nagorno-Karabak me armët serbe, tani Vuçiç, ministri i Informacionit i Milosheviçit, kërcënon të gjithë NATO-n dhe vendet fqinje se do të vazhdojë të përgatitet ushtarakisht për luftërat e reja në Ballkan”.
Meliza Haradinaj-Stublla është zgjedhur ministre e Jashtme prej disa muajsh, ndërsa më parë ka qenë bashkëpunëtore e Ramush Haradinajt.