Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se buxheti 2021 është buxheti i rritjes të pagave për mjekët, infermierët, arsimtarët, si dhe buxheti i taksës zero për biznesin e vogël. “Buxheti 2021 konfirmon edhe një herë tjetër sistemin e refomuar dhe të lehtësuar fiskal që taksa zero për biznesin e vogël është dhe do të mbetet aty, deri në 2029”, tha Rama. Rama tha se “bizneset e vogla nuk do të kenë taksë mbi fitimin dhe nuk do të kenë TVSH deri në 100 mijë dollarë xhiro”.

“Nga ana tjetër ne na duhet të financojmë rindërtimin. Na është dashur të financojmë në gjithë periudhën e mbylljes një numër të barabartë me çerekmilion njerëz. I financuam nag buxheti”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “me këtë buxhet të 2021 ne bëjmë një rritje pagash”. “Më thoni kush vend e bën në rajon, keni dëgjuar? Rritja e pagave nuk është ‘hajde ta bëjmë sot e ta heqim nesër’. Është një angazhim që kur merret është aty për gjithë vitet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “40% është rritja e e pagave për mjekët e infermierët, angazhim i këtij buxheti që miratohet sot nga ky parlament dhe nga 1 janari 2021 e në vazhdim është aty”. “Nuk ikën dhe nuk vjen për shkak të COVID-it, por përkundrazi bëhet pavarësisht COVID-it. Rritja pagave për mësuesit është aty, angazhim për sot, nesër e të ardhmen i patundshëm. Janë angazhime financiare të mëdha jo të vogla në kushtet kur ne jemi si gjithë të tjerët, me kaq shumë shtrëngesa të diktuara nga pandemia dhe një ekstra të diktuar nga fatkeqësia e 26 nëntorit të shkuar”, tha Kryeministri.