Në Thumanë, pas nisjes së shtëpive individuale dhe shkollës që tanimë ka marrë formë, së shpejti pritet të nisin punimet edhe për ndërtimin e pallateve dhe institucioneve të shërbimeve. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin e Rindërtimit, ku u njoh me ecurinë e punimeve për rreth 145 banesat individuale. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj e informoi se puna për ndërtimin e pallateve ka nisur në Durrës, Fushë-Krujë, Tiranë, Kavajë, Golem, Laç dhe Thumanë.

“Nga procesi i Rindërtimit do të përfitojnë 36 mijë familje të prekura nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të vitit që lamë pas në 11 bashki. Banesat e rreth 8 mijë familjeve janë të dëmtuara rëndë të klasifikuara DS4 dhe DS5, që kanë nevojë të rindërtohen”, tha Ahmetaj. Ndërkohë, theksoi ai, ka shkuar në 173 numri i shkollave që do të riparohen apo rindërtohen me fondet e buxhetit të shtetit dhe donatorëve.

Sipas Ahmetaj, shkolla e Thumanës, pritet të përfundojë në fund të muajit janar. Në këtë shkollë do të mësojnë rreth 300 fëmijë. “Duket fare qartë ai koncepti juaj për banesat individuale po në zhvillim kolektiv, në funksion edhe të hapësirave komunitare”, iu drejtua Ahmetaj, Kryeministrit Rama.