Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Pediatria e re do të shërbejë edhe për trajtimin e pacientëve të vegjël me COVID, në rast fluksi në QSUT
Tiranë, 19 Nëntor – Kryeministri Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë inaguruar pediatrinë e re të spitalit rajonal Durrës, një investim i qeverisë shqiptare që siguron standarde europiane në spitalin e fëmijëve të këtij qyteti. “Ëshhtë një spital që do të ofrojë shërbime cilësore për fëmijët dhe kushte shumë të mira për personelin. Është një ndër spitalet më të mira pediatrike që kemi. Ka një kapacitet prej 90 shtretërish. Është menduar për çdo detaj, të ketë elementët e urgjencës dhe të sigurisë. Çdo detaj është bërë që t’i rezistojë kohës dhe të jetë funksional”, tha Manastirliu gjatë inspektimit në spitalin e ri pediatrik në Durrës.
Duke i’u referuar situatës së shkaktuar nga pandemia e Covid19, Manastirliu tha se pediatria e Durrësit do të mbështesë pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në rast se do të ketë shtim të rasteve të fëmijëve të prekur me Covid19. “Duke qenë se QSUT po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë dhe nëse atje do të këtë shtimë të rasteve me Covid19 apo rritje të numrave, është menduar që pediatria e Durrësit të jetë në mbështetje të QSUT, pra të jetë back-up i tij. Për rastet me Covid kemi ambient të dedikuar dhe dhoma izolimi të posatçme”, bëri të ditur Manastirliu.
Pediatria e spitalit rajonal Durrës është investim i qeverisë shqiptare me vlerë 2.2 milionë euro, në infrastrukturë dhe aparatura të reja mjekësore. Me një kapacitetet 90 shtretër, Pediatria e re me infrastrukturë si dhe pajisjet biomjekësore të një teknologjie të lartë do të ofrojë një standard të ri të kujdesit shëndetësor, duke garantuar cilësi dhe siguri për shëndetin e pacientëve të vegjël. Spitali i Durrësit, bashkë me 4 spitale të tjera, është në skenarin e parë të përfshirjes së spitaleve rajonale në përballimin e situatës së COVID19, nëse ezaurohen kapacitetet në 4 spitalet COVID në Tiranë.