“Nëse do të na kërkonin shtimin e testimeve, do i blenim”, kështu është shprehur kryeministri Rama nga foltorja e Kuvendit ditën e sotme për komitetin teknik të ekspertëve. Ai tha se është zgjedhur një strategji tjetër nga ana e ekspertëve të shëndetësisë dhe se qeveria po i ndjek me përpikmëri.

“Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Në momentin kur ndjen simptoma të dyshimta por jo shqetësuese në pikën që të shkosh në spital, karantinohu dhe merr mendimin e mjekut të familjes. Autoritetet në Itali nuk të bëjnë tamponin nëse nuk ke simptoma të caktuara. Asnjë shtet, në këtë valë nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme. Tani janë frenuar duke u përpjekur të fokusohen aty ku janë fokusuar më herët. Kjo ka qenë strategjia e komitetit ekspert. Nëse do të na thonin që të merrni më shumë tampone do u blenim. Në fund të ditës ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën. Sa viktima dhe raste ke. Nëse nuk je në gjendje alarmi për këto elementë, do të thotë që po bën një punë të mirë. Asnjë qeveritar nuk ka shkuar për kurim në Turqi” – tha Rama