Shëtitorja “Taulantia” në Durrës është transformuar në një hapësirë në shërbim të komunitetit. Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga qyteti bregdetar pasditen e sotme, ku një ndër investimet më të rëndësishme është ai në shëtitoren “Taulantia”. Në një gjatësi 950 m vijë bregdetare kjo Lungomare ka ambiente të gjelbëruara, lulishte që shtrihen në një hapësirë 21.000 m2, me 500 pemë dhe rreth 6500 shkurre dekorative.
Krijimi i hapësirave të gjelbra, sistemi i ri i ndriçimit, këndet sportive, si dhe hapësirat rekreative e kanë shndërruar shëtitoren në një zonë shumëfunksionale. Ndërkohë, pjesë e projektit është edhe ndërtimi i “Sheshit mol” ku janë mbjellë pemë në të gjithë gjatësinë e tij. Sheshi “mol” rikthen lidhjet me zonën ku ndodhet Torra Veneciane dhe me portin e ri duke u zgjatur më pas në det.
Ndërsa, monumenti ekzistues nuk është prekur, por do të qëndrojë brenda në park, ku do të aksesohet direkt nga sheshi i hyrjes. Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkinë Durrës.