Reanimacioni i ri i spitalit të Vlorës, një investim i qeverisë me vlerë 56 milionë lekë, ka të gjitha standardet europiane për t’i shërbyer pacientëve. Ndërsa solli pamje të reanimacionit para dhe pas investimit, Kryeministri Edi Rama tha se “reanimacioni i ri i spitalit të Vlorës është shembëlltyrë e përpjekjes sonë transformuese në shëndetësi dhe pjesë e shtuar e frontit për përballimin e epidemisë COVID”.
“Mirëmëngjes dhe me Reanimacionin e ri të spitalit të Vlorës, shembëlltyrë e përpjekjes sonë transformuese në shëndetësi dhe pjesë e shtuar e frontit për përballimin e epidemisë COVID, një sfidë e madhe që do ta përballojmë së bashku me ekipet mjekësore e me shqiptarët e ndershëm, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Sipas mjekëve të këtij spitali, “për qytetarët e Vlorës tani do të afrohet një shërbim më i mirë dhe nuk ka nevojë të shkojnë në spitalet universitare apo ato private”.
Në sajë të këtij investimi transformues, spitali i Vlorës ka sot një reanimacion të kompletuar me pajisje të teknologjisë së lartë, me 14 shtretër, repsiratorë, 80 monitorë, aspiratorë, shiringa elektrike etj.