Rezultati zyrtar i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë I fiksuar në 253 vota elektorale për demokratin Joe Biden dhe 214 për Donald Trump.
Katër ditë pas zgjedhjeve, gara për Shtëpinë e Bardhë nuk është mbyllur ende megjithatë Biden është gjithmonë e më pranë fitores. Fushëbeteja më e madhe e momentit, është Pensilvania, ku kanë mbetur për t`u numëruar edhe rreth 90 mijë vota. Me 20 votat e tij elektorale, ky shtet edhe i vetëm do t`i mjaftonte demokratit për të siguruar pragun e 270 votave elektorale, që i duhet per te marre çelësat e zyres Ovale.
Në Pensilvani, Biden kryeson me 27 mije vota ose 49,6% krahasuar me 49.2 për Trumpin. E ngushtë është diferenca mes kandidatëve edhe në tre shtete të tjera kyçe; Arizona, Georgia e Nevada. Ne Georgia, ku janë numëruar 99% e votave, Bideni fitoi gjatë natës edhe me shume terren dhe tani kryeson me me mbi 7.000 vota. Ky shtet me 16 vota elektorale ka qenë tradicionalisht republikan dhe nuk është fituar nga një kandidat demokrat që prej 1992-shit.
Për çdo rast diferenca atje mbetet tmerrësisht e ngushtë: 49.4% për Biden krahasuar me 49.03% per republikanin. Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet; përmes një deklarate të premten në mbrëmje ata thanë se “zgjedhjet nuk kanë mbaruar”. Sipas ndihmës të Trumpit, presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi. Turma mbështetësish të Trumpit janë mbledhur përpara vendeve të ndryshme të numërimit me thirrjet “ ndal vjedhjes se votave”, megjithatë një figurë e rëndësishme republikane, Mitch Mc’Connell deklaroi më herët se do të ketë një kalim paqësor të pushtetit nëse Joe Biden I fiton zgjedhjet presidenciale.