Shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” ka rihapur dyert të premten për 720 nxënësit e saj. Pas 6-muaj punime intensive, me orar të zgjatur shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” e cila u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar, ka pritur të premten vogëlushët të cilët do të marrin dije në ambientet moderne të rindërtuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të procesit të rindërtimit.

Ende pa kaluar një vit i plotë nga tërmeti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit arriti të mbylli punimet në shkollën e pozicionuar në qendër të Durrësit. Komuniteti shprehet për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tejet i kënaqur me realizimin e shkollës së re në një kohë rekord.

“Shkolla e re që është bërë këtu është bërë një shkollë moderne dhe me cilësi mjaft të lartë. Shkollë e mrekullueshme e zgjeruar dy herë sa ishte. Është bërë një shkollë e klasit të lartë”,- tha një banor për ATSH-në.

“Më bëhet qejfi që kjo shkollë ka dalë shumë e bukur. Punëtorët kanë punuar shumë mirë, shumë pastër dhe uroj që nxënësit që do ndjekin këtë shkollë do dalin me sukses”,- u shpreh Bedeja një tjetër banore e kësaj zone.

Ndërsa të tjerë familjarë fëmijët e të cilëve mësojnë në këtë shkollë thanë për ATSH-në se ekipet që punuan për rindërtimin e kësaj shkolle kanë bërë një punë të lavdërueshme.

“Këta kanë punuar shumë shpejt, iu lumshin duart. Rindërtimi i kësaj shkolle ka ecur shumë shpejt, punëtorët kanë punuar natë e ditë”,- u shprehën banorët.

Ndërsa një nxënëse e cila mëson në këtë shkollë tha se ndihej shumë e gëzuar që tashmë ka përfunduar rindërtimi dhe do vijoj klasën e katërt në ambiente bashkëkohore që ofron kjo shkollë tani.

Drejtori i shkollës “Shaqe Mazreku”, Gëzim Metaliaj, tha se institucioni i vjetër, ishte shkolla më e vjetër në Durrës dhe tërmeti shkaktoi një dëm të pariparueshëm.

“As mua nuk më besohet që inauguruam hapjen e shkollës së re. Janë katër laboratorë, ka të gjitha kushtet që i duhen një shkolle, fusha sportive basketbolli dhe volejbolli, dhoma ndërrimi dhe kushte moderne në klasa. Kemi rreth 700 nxënës”,- u shpreh Metaliaj për ATSH-në.

Shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” ka 24 klasa dhe 4 laboratorë, fusha sportive dhe ambiente pushimi, ashensor, shkallë emergjence dhe siguri të lartë monitorimi me kamera dhe fikës zjarri në klasa. Kapaciteti i shkollës është deri në 720 nxënës. Pjesa e parë duke patur parasysh që s’ka oborr, shërben si holl.

Në qendër të objektit është atriumi i cili merr ndriçim që nga sipër. Shkolla është me të gjitha standardet termike me sistem kapot. Klasat janë me ngrohje, me kaldajë. Punimet për rindërtimin e kësaj shkolle u bënë me 2 turne 16-orëshe, Shkolla ka një sipërfaqe ndërtimi 3376 m2 dhe është e pajisur me sistem termoizolimi me kapotë. Ndërtimi i karabinasë u realizua për 40 ditë. Shkolla ka hapësirë argëtimi 663 m2, dhomë infermierie dhe psikologu, sistem mbrojtje anti zjarr, bibliotekë dhe sallë leximi në 2 kate, 150 m2.