Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen në Ishëm, Durrës, në shtëpitë e banorëve që u shembën nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u premtoi se për Vitin e Ri do të hynin në shtëpitë e reja. I shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, Kryeministri Rama tha se, “edhe pak durim dhe për Vitin e Ri do të jeni në shtëpitë e reja”.

Kryeministri Rama duke folur me banorët u shpreh se, “shtëpitë do jenë më të mëdhaja, më të forta dhe më të bukura”. Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Sako tha se, “vetëm në këtë njësi kemi pasur rreth 300 banesa që janë miratuar në këshillin bashkiak dhe 4 objekte të reja arsimore, 3 shkolla dhe një kopsht. Dy shkolla përfundojnë në dhjetor”.

“Ndërkohë ka filluar ndërtimi për 287 shtëpi, në lotin e parë të fondit dhe punimet kanë filluar në zona të ndryshme, në këtë fshat janë 5 banesa”. Ndërsa ministri Ahmetaj tha se, “projektet e shkollave që do financohen nga PNUD janë gati, por tani pritet të marrin lejen nga bashkia e Durrësit. Brenda 2-3 ditësh duhet që bashkia të jap lejet, në mënyrë që të fillojë ndërtimi”.