Kryeministri Edi Rama ishte sot në Rrogozhinë, ku vizitoi ambientet e rikonstruktuara tërësisht të shkollës dhe kopshtit në Gosë, të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Rama tha shkolla dhe kopshti në Gosë kanë rilindur me një dukje e brendi krejt tjetër pas shkatërrimit të 26 nëntorit të shkuar. “Pasqyrë e ambicies dhe vullnetit tonë për arsimin që duam, ku të gjithë mund të shohin dallimin si dita me natën, mes nesh e atyre që bëjnë çmos të na pengojnë”, tha Kryeministri.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u shpreh se “është bërë realisht dyfishi i shkollës që ka qenë “. Sipas ministrit Ahmetaj, shkolla ka 350 nxënës dhe tashmë ka 2 palestra, dy laboratorë dhe 18 klasa. “Edhe kjo si gjithë shkollat e tjera që po ndërtohet me standarde europiane në kuadër të programit të Rindërtimit, ka infrastrukturën për t’u kthyer në qendër komunitare”, tha ministri. Ai theksoi se për ndërtimin e kësaj shkolle dhe kopshti është punuar me 3 turne dhe punimet kanë filluar në muajin korrik dhe kanë përfunduar për 5 muaj.