Nga viti i ardhshëm, 627 gjimnazistë të Kavajës do të mësojnë në kushte të njëjta me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në çdo vend të Europës. Shkolla e mesme “26 Marsi” në qytetin e Kavajës, pjesë e programit të Rindërtimit, pas tërmetit shkatërrimtar të një viti më parë, po ringrihet nga e para sipas një projekti që ofron jo vetëm një strukturë shumë herë më të fortë dhe ambiente të zgjeruara, por dhe standarde bashkëkohore si ato me të cilat po ndërtohen të gjitha shkollat e reja në Tiranë dhe në çdo qytet tjetër. Drejtuesi politik për PS në Kavajë, Erion Veliaj, së bashku me zv/ministrin e Infrastrukturës, Etjen Xhafaj, panë sot punimet të cilat po ecin me ritme mjaft të shpejta, për përfundimin sa më parë të gjimnazit të ri të Kavajës. Veliaj tha se shkollat sot po ndërtohen kudo duke ndjekur të njëjtin standard, si në qendër ashtu edhe në periferi, si në Tiranë ashtu edhe në çdo qytet tjetër të vendit.

“Nëse nuk do e dija që jam në Kavajë, nuk do dallonte fare nga çdo kantier tjetër shkollash që kemi në Tiranë. Fakti që me kembenguljen e Edi Ramës të gjithë projektit të rindërtimit po i kushtohet e njëjta rëndësi, si për një shkollë që bëhet në bllok, si për një shkollë që bëhet në Kodër-Kamëz, si për një shkollë që bëhet në Kavajë është një lajm i mrekullueshëm. Fakti që do kenë përvojën e tyre jetësore që është gjimnazi në një shkollë që ka të njëjtën cilësi si shkollat më të mira në Tiranë është një lajm i shkëlqyer dhe për ata prindër që i gëzohen kësaj shkolle do të jetë një ambient, jo vetëm për orët e mësimit, por edhe për orët pas mësimit,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Nga ana tjetër, ai tha se Shqipëria sot, falë prioritetit të vënë prej qeverisë për rindërtimin, është i vetmi vend që ringrihet edhe më i fortë në një kohë rekord, vetëm 1 vit pas tërmetit të 26 nëntorit. “Tani që kemi parë një vit se si, jo vetëm u rrëzuam, por se si u ringritëm, që është pjesa më e rëndësishme, them vërtet që kemi bërë një punë të paqme. Në një vit, nuk ka një vend tjetër që të ketë ecur kaq shumë puna e rindërtimit dhe të jetë shfrytëzuar mundësia për t’i rindërtuar gjërat më të forta, më të mira e sa më jetëgjata. Sot është ditë pushimi, por fakti që ne e ndajmë të gjithë këtë pasion dhe funksionojmë si një skuadër, si shteti dhe privati, do të thotë që i kemi prioritetet atje ku duhet,” tha kryebashkiaku i Tiranës. Ndërsa kryetari i Bashkisë Kavajë, Redjan Krali, u shpreh se gjithsej janë 3 shkolla që po rindërtohen dhe 11 të tjera që po rikonstruktohen në këtë bashki. Shkolla është parashikuar me dy seksione. Seksioni i parë 2-katësh dhe seksioni tjetër 4-katësh. Do të ketë një palestër të brendshme, 8 laboratorë, 18 klasa, plus sallat e mësuesit. Struktura e saj është shumë më e fuqishme, me sisteme mekanike sipas standardeve evropiane, me sistem ngrohjeje, me kaldajë, izolim me polisterol, që krijon një termoizolim më të mirë.