Inflacioni i rritur lehtësisht për muajn tetor që është sërisht rreth 3 % është një lajm i mirë për ekonominë tonë megjithëse grafiku që u paraqit nga lideri i Partisë Demokratike ishte sipas tij, për të treguar të kundërtën.

Zoti Basha i përcolli me tonalitetin e duhur deklaratat e gabuara të shkruara nga krye-ekonomistët e PD-së, por nuk mjafton vetëm tonaliteti por duhet dhe argumenti që ai të jetë i besueshëm.

E para, rritja e lehtë e inflacionit tregon se politika monetare e uljes së normave të interesit apo e rritjes së bazës monetare nga Banka e Shqipërisë ka dhënë efektin që prisnim, një rritje të konsumit, rritje e cila padyshim shoqërohet me një rritje të kontrolluar të inflacionit.

Kjo tregon që zgjerimi i fundit i bazës monetare është shoqëruar me rritjen e shpejtësisë së qarkullimit të parasë dhe / ose me faktin që multiplikatori i parasë ka qenë i qendrueshëm.

Së dyti, doktrina tradicionale ekonomike nënkupton që inflacioni duhet të rritet ndërsa fillon rimëkëmbja ekonomike. Ekonomistët pranojnë se ekziston një marrëdhënie midis papunësisë dhe inflacionit: Kur rritet punësimi inflacioni rritet.

Ndaj rritja e inflacionit edhe pse e vogël është një shenjë pozitive që ndoshta ekonomia ka filluar të marrë trajektoren e rimbëkëmjes

Së treti, pas krizës së vitit 2008 problem për ekonomitë ka qënë Deflacioni dhe jo Inflacioni. Deflacioni është ulja e indeksit të çmimeve dhe është tipari kryesor që shoqëron recesionet e thella, i vështirë për t’u kuruar nga politikat fiskale dhe monetare të marra sëbashku. Që nga viti 1933 kur Irving Fisher paraqiti teorinë e tij të deflacionit kjo teori asnjëherë nuk është provuar e gabuar .

Vendet poshtë vijës së kuqe të grafikut të paraqitur nga PD kanë hyrë në një mjedis deflacionist, gjë që tregon se kërkesa ka rënë më shumë së oferta. Shqipëria është mbi vijën e kuqe edhe ky është lajmi më i mirë që kemi dëgjuar për ekonominë tonë gjatë Covid -19.

Askush nuk duhet të shqetësohet për inflacionin e rritur lehtësisht gjatë tetorit 2020. Përkundrazi është një dritë e vogël shprese për ekonominë tonë. Por ne duhet të shqetësohemi për cektësinë e ekonomistëve të Bashës të cilët synojnë të marrim pushtetin.(SI)