Në Kuvend ka mbërritur për ratifikim marrëveshja e huasë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri, në shumën prej 60 milionë eurosh. Sipas relacionit shoqërues të marrëveshjes, shuma totale e financimit të programit është 100 milionë euro, nga ku 40 milionë euro grant dhe 60 milionë euro hua. Programi synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ai do të zbatojë dhe do të testojë modelin e zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi në territoret e bashkive Fier, Berat, Shkodër e Korçë, i përqendruar në një numër të modeleve pilot të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe mjeteve të destinacioneve të tjera lokale.

Programi do të përmirësojë turizmin e qëndrueshëm e të përgjegjshëm, duke rigjeneruar kështu strukturën ekonomike lokale dhe mjedisin urban. Destinacione turistike më të shumta dhe më tërheqëse do të rrisin shpenzimet e turistëve, kohëzgjatjen e sezonit turistik, mundësitë e punësimit për popullsinë lokale dhe të ardhurat në zonat e synuara. Modeli do të shtrihet në vende të tjera, të cilat do të zgjidhen në bazë të nevojave dhe të potencialeve të tyre për zhvillim lokal, në përputhje me politikën e zhvillimit rajonal shqiptar. Bashkitë mund të marrin mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës së tyre, lidhjen rajonale dhe shërbimet bashkiake. Programi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit deri në vitin 2025.