Imunologu Genc Sulçebe ishte i ftuar mëngjesin e kësaj të mërkure në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku komentoi situatën që paraqitet nga Covid në vend. Duke iu referuar numrit të infeksioneve, imunologu tha se ende nuk gjendemi në kurbën zbritëse dhe se piku do të ishte kapja e imunitetit të tufës.

“Duhet të bëhen studime të thella se a jemi afër pikut apo në pik, por duket se akoma nuk jemi në kurbën zbritëse, ose në ngjitje afër pikut por se sa nuk e dimë. Dimë këtë që në mënyrë që të kemi një pakësim të infeksioneve duhet të paktën gjysma e popullatës të jetë e imunizuar.

Disa thonë 60-70 përqind, disa thonë dhe me 40 përqind mund ta kemi një nivel që quhet imuniteti i tufës në të cilin numri i tyre që nuk janë infektuar është më i pakët se janë të imunizuar dhe si pasojë infeksioni nuk përhapet në mënyrë progresive por në mënyrë të ngadalshme.

Ne akoma nuk e kemi arritur këtë nivel nëse themi për Shqipërinë, duhej të ishim imunizuar të paktën 1 milion vetë. Tani ne jemi në një nivel që ky numër nuk është arritur akoma, duhet të kemi më pak se milion ose më pak se gjysma e këtij numri të popullatës. Jemi larg kapjes së imunitetit të tufës sepse piku do të ishte kapja e imunitetit të tufës dhe rënie pasi është arritur imuniteti.”, tha ai.

Ndërkohë, i pyetur se sa mund të jetë përqindja e popullatës që mund të jetë prekur nga Covid, ai tha: “Në fillim të Korrikut ne gjetëm në Tiranë rreth 6.4 përqind të popullatës që kishin rënë në kontakt me infeksionin. Nëse presupozojmë se çdo muaj që nga Korriku kemi rritje prej minimumi 5 përqind të personave të imunizuar, ne sot do të jemi midis 20-30 përqind.”