I vogël tifoz i Real Madrid, ndërkohë që deri para pak kohësh drejtonte Barcelonën. Quique Setien mezi e kishte pritur të stërviste Leo Messin, edhe pse kjo është diçka e komplikuar. Nga e gjithë ajo eksperiencë ai ka marrë shumë gjëra, por ato që do të mbahen mend janë disfata kundër Bayern Munich me rezultatin 2-8 dhe deklarata e tij që la lopët e tij për të marrë drejtimin e katalanasve. Për këtë edhe është ngacmuar shpesh. Setiem ka dhënë një intervistë të gjatë për “El Pais” dhe e ka bërë përballë një emri të njohur si Vicente Del Bosque. Trajneri i njohur spanjoll, në rubrikën e tij Bisedë me Del Bosque, është munduar ta zbërthejë Setien dhe deri diku ia ka dalë. Messi dhe humbja kundër Bayern janë ndër temat delikate dhe ish-trajneri i Barcelonës ka folur.

Mendoj se Messi është futbollisti më i mirë i të gjithë kohërave. Ka pasur lojtarë të tjerë të mëdhenj që kanë qenë të shkëlqyer, por vazhdimësinë që ky djalë ka pasur gjatë viteve nuk e ka pasur askush. Mbase Pele…”, thotë fillimisht Settien, i cili më pas pranon vështirësinë që ka çdo trajner për të punuar me një lojtar si argjentinasi.

Leo është i vështirë për t’u menaxhuar. Kush jam unë për ta ndryshuar atë! Nëse e kanë pranuar ashtu siç është prej vitesh dhe nuk e kanë ndryshuar. Ekziston edhe një aspekt tjetër veç pjesës si futbollist. Ajo është më e komplikuar për t’u menaxhuar. Më shumë madje dhe është diçka e natyrshme për shumë sportistë, siç shihet edhe në dokumentarin e Michael Jordan (The last dance). Ju shikoni gjëra që nuk i prisni, shton tekniku spanjoll. Del Bosque i kujton më pas një rast tek Atletico Madrid, ku një mik i tij ishte përballur me një lojtar dhe situata ishte e tillë, ose unë, ose ai. A ka qenë Setien në të njëjtën situatë me Messin? Tekniku ndan me lexuesit qëndrimin e tij. Ai është shumë i rezervuar, por ju bën t’i shihni gjërat sikur dëshiron ai. Messi nuk flet shumë. Në momente të caktuara duhet të kisha marrë vendime të tjera, por ka diçka që është mbi ty: klubi. Klubi është mbi presidentin, lojtarin dhe trajnerin. Është klubi, janë edhe tifozët. Janë ata të cilëve ju i detyroheni respektin maksimal, ndërkohë që duhet të bëni atë që është më e përshtatshme për klubin. Ka miliona njerëz që mendojnë se Messi, apo ndonjë lojtar tjetër, është më i rëndësishëm se klubi dhe trajneri. Ai dhe të tjerët përreth tij kanë jetuar për 14 vite në atë klub duke fituar tituj e gjithçka të mundshme. Tata Martino ka qenë një nga trajnerët e shkarkuar nga Barcelona, ndërkohë që më pas u zbulua edhe një bisedë e tij me Messin. Unë e di që nëse telefonon presidentin mund të më flakësh tutje në çdo moment, por mos ma thuaj çdo ditë, janë fjalët e Martino, të cilat Del Bosque ia kujton ish-trajnerit të Barcelonës, Setien.

E kam dëgjuar atë frazë dhe të tjera. Nuk kam nevojë që askush të më tregojë se çfarë tha Martino apo dikush tjetër. Kam pasur përvoja të mjaftueshme për të bërë një vlerësim se si është ai djalë dhe të tjerët në të vërtetë, shprehet Setien, i cili më pas pyetet edhe nëse ka qenë Quique i vërtetë gjatë kohës që drejtoi Barcelonën. Nuk isha vetvetja te Barcelona, ky është realiteti. Kur firmosni për një klub si Barcelona ju e dini që gjërat nuk do të jenë të lehta, pavarësisht se mund të kesh lojtarët më të mirë në botë. Realiteti është se nuk mund të isha unë dhe nuk e kam bërë atë që duhet të bëja. Është e vërtetë që mund të kisha marrë vendime drastike, por nuk do të rregullonin asgjë në një kohë të shkurtër.

Pas izolimit kishim ndeshje njëra pas tjetrës dhe ishim dy pikë para. E nisëm mirë, por situata u ndërlikua më pas dhe Reali bëri një ecuri fantastike. Duhet të kisha qenë ndryshe, por nuk kishte as kohë për të punuar e as për të menduar. Vendimet drastike në atë kohë do na dëmtonin. Kishim kampionatin dhe Championsin aty. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi kundër Bayern. Ajo disfatë 2-8 dhe shkarkimi normalisht që i dhembin Setien, i cili gjithsesi thekson se e ka kaluar periudhën e zisë. “Me atë humbje futeni në historinë e Barcelonës dhe normalisht dëmtoheni shumë. Unë marr përqindjen time të fajit. Më pas zbulova se vendimi për mua ishte marrë para asaj humbje 2-8. I mora vesh të gjitha. A kam dëshirë të stërvit? Jo shumë. Jam rehat në shtëpi, me detin dhe me lopër e famshme. E kam kaluar periudhën e zisë. Mua nuk do të më dëgjoni kurrë të ankohem. Jetoj nga futbolli prej 40 vitesh. Do t’i jem mirënjohës futbollit për gjithçka më ka dhënë. Gjithmonë, mbyll Setien, i cili para se të merrte drejtimin e Barcelonës kishte tërhequr vëmendjen në krye të Real Betis, më lojërat e bukura që zhvillonte skuadra e tij.