Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin e shkollës nëntëvjeçare “Dan Bajrami” në Gjorem, bashkia Kurbin, e cila po bëhet gati për këtë 26 nëntor të hapë dyert për 400 nxënës. Rama tha se “shkolla e re do të jetë më e madhe, më e bukur, më e fortë për 400 nxënës që do të kenë kushte optimale njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në shkollat e bukura të Europës”. Kryeministri Rama vuri në dukje se shkolla edhe më parë ishte në planet e bashkisë për rikonstruksion, ndërsa tani u rindërtua nga e para, më e bukur dhe më e fortë se më parë. Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara u shpreh se shkolla ka një sipërfaqe trualli mbi 8 mijë m2 dhe 3200 m2 ndërtim.
“Shkolla e re ka 15 klasa, palestër, 4 laboratore. Tashmë jemi në fazën e mbylljes së katit të parë. Është shtrirë rrjeti elektrik, hidraulik, kundra zjarrit, i ngrohjes dhe ka filluar edhe suvatimi i katit të parë. Shumë shpejt shkolla do të jetë gati për të pritur nxënësit”, tha ajo. Cara tha po ashtu se “shkolla e re do të shërbejë edhe si qendër komunitare për 4 mijë banorët e kësaj zone”.
“Shkolla ka 2 terrene sportive të jashtme dhe palestrën. Është një ndërtim bashkëkohor që ofron shumë dritë në ambientet e saj. Në një pjesë të godinës do të jetë kopshti, ku akomodohen rreth 80 fëmijë. Shkolla po ashtu është e pajisur me ashensorë për fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha ajo.