Pas disa daljeve të Erion Dashos, një person që tashmë është atashuar si ekspert pranë selisë së Partisë Demokratike, dhe që ka sulmuar papushim Komitetin Teknik të Ekspertëve, sot Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka zbuluar disa të vërteta në lidhje me ish okulistin, që sot e ushtron zanatin e vet online dhe tek syri. Pasi u jep përgjigje disa pyetjeve të ngritura nga Dasho, Brataj ka hedhur më tej dritë mbi të kaluarën e ekspertit të Partisë Demokratike… “…Shofer Erioni besoj e kuptove që ndiqet sistemi i referimit, si thua këta pacientë t’i lëmë në shtëpi apo të shkojnë vetë në spital? Si thua, Urgjenca Mjekësore e spitalore dhe paraspitalore janë dakort me ty në këtë ofezë dhe baltë që nuk po kursen për ta?
Si thua të tërhiqemi nga detyra fisnike, nga betimi që kemi bërë para kësaj sëmundje? Ti pret të bëjmë një gjë të tillë, që sistemi të shkojë në katastrofë, e që ti nga shofer të bëhesh deputet? Jo shofer ne nuk tërhiqemi, ne do vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve. Kujdes se deri në prill edhe për ty rruga është shumë e gjatë! Le të vazhdojmë me karrierën e shoferit. Personalisht pata kontakte me drejtuesin e USAID-it në Shqipëri dhe Kosovë që drejtonte këtë projektin e Telemjekësisë, të cilit Erioni i bënte shoferin. E falënderoj doktorin që dha një kontribut të çmuar në projektin e Telemjekësisë dhe urgjencës në Shqipëri. Pastaj mora vesh që Erioni bënte shoferin Prishtinë-Tiranë dhe anasjelltas. Mora vesh që kishte mbaruar specializimin për okulist, por nuk kishte punuar ndonjëherë, nuk e di nëse universitetet fantazmë të asaj kohe shisnin edhe diploma specializimi! Pastaj mora vesh që qenka epidemiolog dhe dikur, shumë herët kalonte edhe nga ISHP-ja ndonjëherë.
Drejtuesi i USAID-it me të cilin i ka të prishura marrdhëniet tani, kishte edhe projekte të tjera në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, kështu që shofer Erioni mjeshtër siç është, iu qep nga pas që të bënte shoferin edhe në këto vende!
“Sa më shumë të bredhësh aq më shumë nxë” thotë populli, por jo si shofer Erioni! Epidemiologu, okulisti, drejtori që nuk pa një pacient të vetëm në jetë, zhvilloi këtë dhunti të tijën. Ai bëri disa njohje në këto vite dhe zbuloi botën e projekteve dhe të OJQ-ve. Kështu nisi projektet dhe kuptohet vendi ku duhej të përfitonte ishte Shqipëria dhe vendet e Afrikës, ku falë edhe njohjeve, u bë pjesë e këtyre OJQ-ve. Sot rezulton anëtar, drejtor apo shofer në këtë OJQ nuk e di, specialisti i Gjermanisë që jeton në Shqipëri thotë se merret me teknologjinë mjekësore, specializim që nuk e dinim! Nga janari me projektin e tij u bë pjesë e trajnimit të mjekëve të familjes për disa muaj. Pastaj u paraqit në ministri si shpëtimtar i ardhur nga Gjermania! Ai propozoi masat inteligjente në mjekësi, ku virusi mund të identifikohej me anë të celularit dhe ndoshta edhe ta asgjësonte atë me të njëjtën mënyrë teknologjike! Ministria nuk u bind për fatin e mirë dhe shoferi kaloi te Testim, Gjurmim, Trajtim dhe aty ka ngelur akoma.
Por “shejtani” kur dështon në një anë fillon disa të të tjera! Filloi punë për gjashtë muaj pranë televizioneve, kundër çdo mase apo këshillimi të ministrisë apo ekspertëve të komitetit, se veç masave inteligjente të tij asgjë nuk do ta shpëtonte Shqipërinë! Pasi kaloi këto gjashtë muaj në televizione, gjendja në Gjermani u përkeqësua dhe ai fluturoi ta shpëtonte atë sepse masat inteligjente të tij as gjermanët nuk i kuptuan! U tha të bënin si Shqipëria, të mbylleshin, të shtrëngonin masat se ky virus është më inteligjent se masat inteligjente. Gjermania po i njek këshillat e tij me përpikmëri! Tani nga Gjermania (apo fshehur diku) e kemi në Skype duke këshilluar dhe duke gjetur fajtorët, sepse në Shqipëri virusi është i djallëzuar si shqiptarët, ai mund të kapet vetëm me këshillat dhe masat e tij inteligjente! Shkëlqimet dhe rëniet e shokut Zylo sapo filluan përsëri! Testim, gjurmim, trajtim, ju politikanë më ndiqni, unë jam i zoti, unë jam specialist në Gjermani! (Dreq e paskan marrë vesh që unë punoja shofer dhe tani punoj në një OJQ)!!! Merru me politikë, por jo me Urgjencën!”, e mbyll shënimin e tij Doktor Skënder Brataj.