Nga Keith Kocinski, VOA/
Joe Biden, i parashikuar si fitues i zgjedhjeve presidenciale amerikane, do të trashëgojë një ekonomi të rrënuar nga pandemia, por që po tregon shenja rimëkëmbjeje.
Siç na njeh materiali në vazhdim, agjenda ambicioze ekonomike e zotit Biden do të përballet me pengesa në një Kongres të ndarë përgjatë linjave partiake.
Tregjet e aksioneve amerikane u ngritën pas parashikimeve se demokrati Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale. Analistët financiarë thonë se investitorët do të kenë edhe më shumë besim nëse republikanët mbajnë shumicën e Senatit. Dan Geltrude është profesor i financës në Universitetin Shtetëror Montclair.
“Tregu i aksioneve do një qeveri të ndarë për faktin se gjërat janë të parashikueshme. Sepse jo shumë gjëra mund të ndryshojnë kur ke një qeveri të ndarë.”
Vazhdimi i rimëkëmbjes së ekonomisë është i lidhur ngushtë me përparimet në luftën kundër pandemisë. Ndërsa rastet e koronavirusit janë shtuar, gjithashtu janë raportuar rezultate premtuese të provave për vaksina. Ekonomistët thonë se do të jetë një sfidë për administatën Biden kthimi në kushtet ekonomike para goditjes nga pandemia. James W. Hughes është profesor ekonomie në Universitetin Rutgers.
“Akoma jemi në një gropë të thellë ekonomike. Duhen rikuperuar 10 milion vende pune që të kthehemi tek situata para shkurtit, dhe pritshmëritë janë që kjo të ndodhë në vitin 2022.”
Gjatë fushatës, zoti Biden premtoi rritje taksash për korporatat dhe të pasurit për të financuar nisma në kujdesin shëndetësor, arsim, mjedis dhe infrastrukturë. Opozita e bashkuar republikane është kundër rritjes së taksave, thotë Dan Geltrude me Universitetin Shtetëtor Montclair.
“Rritja e taksave nuk është gjëja më e mirë për ekonominë. Por planet për infrastrukutën do të jenë ato që do të kthejnë njerëzit në punë.”
Nën administratën Biden, Amerika pritet të rikthehet në marrëveshjen e Parisit për klimën. Zoti Biden ka premtuar një “revolucion të energjisë së pastër” që do të vinte vendin në shtegun drejt eleminimit të plotë të ndotjeve nga karboni deri në vitin 2050.
“Nëse bëhet menjëherë, do të shikonim disa çështje sepcifike në ekonomi sepse gjithçka ndikohet nga industria e naftës,” thotë profesori Dan Geltrude.
“Amerika duhe të jetë në pozitë udhëheqëse globale dhe jo të mbetet prapa kur flitet për zhvillimin dhe investimin në teknologji dhe transformimin e ekonomisë,” thotë profesori James W. Hughes.
Mes errësirës së krijuar nga pandemia, disa shohin një të ardhme të ndritshme.
“Epoka e zbulimeve nuk ka marrë fund. Ndërsa vazhdojnë përparimet teknologjike, do të shohim rritjen dhe shpërthimin e një ekonomie që as nuk mund të na shkojë në mendje tani,” thotë profesori Hughes.
“Nëse qeveria nuk bën diçka ekstreme dhe thjeshtë i lejon njerëzit të shpenzojnë paratë e tyre, sepse ata e dinë më mirë për veten e tyre, mendoj se na presin ditë të mira,” thotë profesori Geltrude.
Ka të ngjarë që zoti Biden të përqendrohet fillimisht tek masat e stimulimit ekonomik. Para pandemisë, Amerika gëzonte një zgjerim ekonomik 10-vjeçar, me paga në rritje dhe rënie të papunësisë në nivele historike.