Megjithëse pritet të humbasë zgjedhjet, Presidenti Donald Trump arriti një rezultat më të ngushtë se parashikohej në anketa, duke fituar më shumë vota nga pakicat racore krahasuar me vitin 2016, në veçanti mes popullsisë latine dhe hispanike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton për diversitet politik në rritje të këtij grupimi etnik, që është rritur nga 16% në 18% të popullsisë së Shteteve të Bashkuara gjatë dekadës së fundit, sipas të dhënave të Qendrës Kërkimore Pew.

Rritja e votës hispanike për Presidentin Donald Trump, nga 28% në vitin 2016 në 32% këtë vit sipas anketimeve, i befasoi ekspertët.

“Mendoj se në vazhdim duhet të mos e trajtojmë votën latine si një bllok elektoral. Nuk është një votë e vetme”, thotë Elaine Kamarck, analiste politike në Institutin Brookings.

Shumë analistë e konsideruan për të mirëqenë se retorika dhe politikat e ashpra anti-emigracion të presidentit, në veçanti, ndarja e fëmijëve emigrantë nga familjet e tyre në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën, do të krijonte një bazë të mirë mbështetjeje për rivalin demokrat Joe Biden në radhët e latinëve.

Megjithatë, disa në elektoratin me shumicë katolike ose konservatore të krishterë hispanike, mbështetën Presidentin Trump dhe Partinë Republikane për kundërshtimin e tyre ndaj martesave homoseksuale dhe abortit.

“Të jesh pro jetës, kjo është kryesisht një nga arsyet kryesore përse votova për Donald Trump-in“, thotë Maria Posada, meksikano-amerikane nga Teksasi.

Disa hispanikë konservatorë gjithashtu i pëlqyen përpjekjet e Presidentit Trump për të ulur taksat dhe rregulloret burokratike, ndërsa nuk u besojnë premtimeve të përsëritura të demokratëve për të rritur pagat dhe për të zgjeruar qasjen në sistemin e kujdesit shëndetësor.

“Ne latinët besojmë se pavarësisht nga ç’thonë ata, duke na ofruar hënën dhe yjet, ata nuk do t’i mbajnë premtimet që bëjnë“, thotë Nelson Reynaldo, banor në Virxhinia, me origjinë nga El Salvadori.

Një rritje e mbështetjes latine e ndihmoi Presidentin Trump të fitojë Floridan me mbi 51% të votave, duke sfiduar disa sondazhe para-zgjedhore që nxirrnin zotin Biden në avantazh.

Analistët thonë se përpjekjet e Presidentit Trump për t’i etiketuar demokratët si socialistë, si dhe politikat e tij të ashpra që kundërshtojnë Kubën komuniste dhe udhëheqësin socialist të Venezuelës Nicolas Maduro, ndihmuan në forcimin e mbështetjes për të brenda komunitetit të fortë anti-komunist të kubano-amerikanëve në Majami.

Disa aktivistë latinë thonë se zoti Biden e neglizhoi Floridan, ndërsa Presidenti Trump mbajti tubime të shumta në këtë shtet, për të cilin ekipi i tij elektoral mendoi se do të luante një rol kryesor në këto zgjedhje.

“Biden-i hyri vërtet me vonesë në lojë“, thotë Claudia Ruiz, analiste e politikave, në organizatën UnidosUS.

Mbështetja e rritur e latinëve në Teksas gjithashtu e ndihmoi Presidentin Trump të fitonte qartazi në një shtet tjetër ku supozohej që rezultati të ishte i ngushtë.

Sidoqoftë, mbështetja hispanike e ndihmoi zotin Biden të bëhej fituesi i parashikuar, pjesërisht duke ia marrë Arizonën palës tjetër dhe duke fituar një epërsi në Xhorxhia, dy shtete që votuan për Presidentin Trump në 2016.

“Nuk ekziston asnjë shtet ku ne tani të mos kemi peshë“, thotë Albert Morales, drejtor politik në organizatën “Vendime Latine”.

Popullsia latine në rritje në Shtetet e Bashkuara po bëhet gjithnjë e më e larmishme dhe demokratët nuk mund ta marrin më për të mirëqenë, thonë analistët.