Nga Ylli Pata/
Në intervistën e tij publike pas shumë kohësh dhe në kulmin e çështjes së akuzave në lidhje me çështjen e Kosovës, kreu i opozitës, Lulzim Basha, pritej që të jepte një qëndrim apo sqarim shterues për të gjitha pikëpyetjet në lidhje me të por, edhe në angazhimin e Partisë Demokratike si alternativë qeverisëse. Por në të gjitha parashtrimet e tij, kreu i PD-së, thjesht ka ikur apo rrëshqitur, duke mos i vënë pikat mbi “i” për asnjë çështje të rëndësishme, që nga ajo e së kaluarës së tij në Kosovë, pandemia, problemi i vilave ku jeton, e deri në rrugën politike që do të ndjekë deri më 25 prill. Për çështjen e të shkuarës së tij si pjesëtar i grupit të hetuesve të Gjykatës së Hagës, Basha u shmang. U pyet nga Sokol Balla në lidhje me deklaratën e Antropologut, Jose Pablo Baraybar, i cili ka deklaruar se ka qenë së bashku me Lulzim Bashën si në Kukës për të hetuar kampet e UÇK-së ashtu edhe në Gurrë të Matit për Shtëpinë e Verdhë, ku ishim veshur si inxhinierë rrugësh, Basha përmend rastin e vitit 2004 kur Baraybar erdhi për herë të dytë dhe përmend Artan Grubin, zv.kryeministrin e sotëm të Maqedonisë, i cili ka qenë përkthyes i ekipit.
Artan Grubi, ka dhënë një intervistë për mediat shqiptare që në vitin 2011 dhe e shpjegon me hollësi jo vetëm rolin e tij si përkthyes, por tregon çdo detaj mbi hetimet që janë bërë për Shtëpinë e Verdhë. Ndërkaq, sërish me këtë çështje ndërsa moderatori Balla a e pyeti për dëshminë e Milaim Bellanica që thotë se videon e Masakrës së Krushës së Madhe ja ka dhënë Lulzim Bashës që i është prezantuar si punonjës i Gjykatës së Hagës, Basha ju shmang duke thënë se është nip Kosove. Në këtë rast kush nuk thotë të vërtetën: Bellanica apo Basha?! Përse Basha nuk takohet me Milaimin? Në lidhje me pandeminë, kreu i PD-së ishte gjithashtu më kaotik dhe kontradiktor. Ndërsa foli për planin e tij të famshëm me 5 pika, ku thelbi është rritja e testimeve më shumë si deklaratë sesa pjesë e një studimi, ndërkohë kur Balla vuri deklaratën e përfaqësuesit të OBSH-së, i cili tha se testimet nuk janë qëllim në vetvete, ndryshoi qëndrimin dhe tha se “pikërisht kështu mendoj dhe unë”.
Për Pandeminë, Komiteti teknik i ekspertëve ka disa strategji të planifikuara për të gjitha fazat e saj, me skenarë, të cilët janë dorëzuar edhe në presidencë, por edhe në institucionet e tjera. Strategji që është hartuar nga ekspertët dhe realisht është përshëndetur dhe nga OBSH dhe partnerët e tjerë që punojnë me Task Forcen shqiptare.
Këtë kaos të qëndrimeve e tregojnë edhe ndryshimet frenetike të qëndrimeve të PD-së, në periudha të ndryshme të pandemisë. Ndërsa në muajt e parë, PD kërkoi që testet të liberalizohen dhe të bëhen edhe tek laboratorët privatë, mbrëmë e sulmoi këtë version, duke akuzuar qeverinë për favore ndaj “klientëve të saj”.
Ndërkaq, ka vijuar kjo situatë edhe për çështjen e “vilave të Papulit”. Pyetjes së Sokol Ballës se përse në kohën e krizës ju morët vila në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, Basha tha se kjo është bërë “për një arsye që s’dua ta them këtu”. Tha që atje rrinte me qira, por nuk bëri të ditur sa është shifra e qirasë që paguan në muaj, kur dihet se ajo zonë ka çmimet më të larta. Po ashtu si arsye se pse kishte ndryshuar shtëpi, tha se pallati u prish nga tërmeti, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka publikuar raportin e ekspertëve që tregonte se nuk është shka tërruar pallati. Tha që “godina” e re është më e vogël sesa shtëpia që kishte por faktisht mediat kanë publikuar pamje që vila është me oborr të gjerë dhe me pishinë.
I është kthyer sërish çështjes së inceneratorët, ku ka pasur një variant tjetër të akuzës së tij. Ndërsa në të gjitha konferencat e shtypit, por edhe mbrëmë tha që ka një pronar të vetëm pas tre impianteve të përpunimit të mbetjeve, kur u pyet nga Sokol Balla se a keni një emër, tha se “këto janë të paqartë të gjesh se kush është pas tyre”. Balla e pyeti sërish ku i gjeni ju fajtorët kur thoni se është e paqartë, Basha i iku sërish dhe tha se në Verona kanë nisur hetime për Ndragheta, që në fakt nuk ka të bëjë fare me çështjen. Nëse Antimafia italiane do të gjente një lidhje me Shqipërinë, natyrisht se do ta sillte menjëherë fletëporosinë apo kërkesën nëpërmjet SPAK. Në lidhje me projektin e tij kur ishte kryetar bashkie që ja zbuloi Edi Rama pak kohë më parë se kishte pasur një çmim më të lartë të depozitimin të mbetjeve në Sharrë e që ishte 37 euro, Basha tha se pjesa më e madhe i shkonte pastrimit të qytetit dhe vetëm 12 euro shkonin në Sharrë dhe këtë shifër e përballim me çmimin aktual të 29 eurove për ton.
Kur Balla e pyeti a shkojnë këto 29 euro në Sharrë, kreu i PD-së bëri një pauzë, duke u menduar dhe u përgjigj: janë dy kompani. Pra në Sharrë shkojnë 29 euro? Pyeti sërish Sokol Balla, e Basha tha po e shtoi më shumë se shifra jonë, duke rrëzuar kështu të gjithë retorikën e PD-së deri tani që ka folur për qindra miliona. E kështu edhe vijoi intervista edhe me çështjet politike, ku gjithsesi nuk foli për polemikat e brendshme për kandidatët apo edhe për probleme të tjera politike si linçimi ndaj kritikëve të tij brenda PD-së apo të larguarit.
©Copyright Gazeta Shqip