Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, deklaroi se plani kombëtar i vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) do të fillojë në janar. Sanchez theksoi se vaksinimi do të zbatohet në 13.000 lokacione në mbarë Spanjën, ndërsa “një pjesë e konsiderueshme e popullatës” mund të vaksinohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Plani i detajuar pritet të shpaloset nesër. Ai tha se në Spanjë shkalla kumulative e të sëmurëve në 100.000 banorë në 14 ditë ka rënë nën 400.
Spanja sot ka filluar të kërkojë test negativ të PCR-së për shumicën e udhëtarëve që në këtë vend arrijnë përmes rrugëve ajrore dhe detare. Masa mbulon ardhjen nga 65 vende, përfshirë pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian (BE). Ndërkohë, rajoni verilindor i Katalonjës ka zbutur disa nga kufizimet e ashpra për baret dhe restorantet dhe ngjarjet kulturore të vendosura nga mesi i tetorit.
Ndonëse edhe më tej mbetet ora policore prej 22 deri në ora 6, baret dhe restorantet katalanase mund të kenë klientë 30 për qind të kapacitetit në hapësirë të mbyllur, ndërsa vendet e mbajtjes së aktiviteteve kulturore mund të punojnë me 50 për qind të kapacitetit.