Darëzeza e Fierit mori një tjetër dimension turistik. Me qindra pjesëmarrës nga gjithë Shqipëria e Kosova përjetuan spektaklin e rrallë të hipizmit në vijën bregdetare Darëzezë – Pishporo. Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi lidhur me organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportivo turistik u shpreh se kalorës të apasionuar pas kalërimit nga Fieri, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi i vunë një kurorë të artë turizmit tonë bregdetar.

Mirënjohje për organizatorët fierakë dhe Shoqatës “Bilali” të hipizmit që e kthyen Darëzezën tonë në pistën me fantastike të hipizmit mbarëkombëtar- tha Subashi. Për herë të parë bregdeti i Darëzezës në Fier është shndërruar në një pistë hipizmi. Iniciatorët e kësaj gare u bënë disa të rinj fierakë, të cilët prej janarit të këtij viti çdo ditë për hobi bënin shëtitje me kuaj në bregdet. Gara u zhvillua në bregdetin e Darëzezës dhe Pishporos për shkak të gjatësisë të pandërprerë, prej 10 km. Gjatë aktivitetit u zhvilluan dy gara, një garë shpejtësie ku marrën pjesë 15 kalorës që zgjati 1 minutë dhe gara tjetër zgjati më shumë. Gara e gjatë e rezistencës është e gjatë 10 km, vajtje ardhje nga Darëzeza në Pishporo dhe nga Pishporo deri tek grykëderdhjen e Vjosës ku kufizohet Fieri me Vlorën. Hipizmi është prej shekujsh një sport i preferuar për adhuruesit e tij, i cili sjell emocione dhe adrenalinë të papërshkrueshme. Mund të ushtrohet nga të gjithë grupmoshat. Ky sport vë në lëvizje të gjithë pjesët e trupit si dhe mendjen në të njëjtën kohë.