Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi sot se “Ilir Meta nuk është më Presidenti i Republikës, ai ka hyrë me kokë në një garë politike që sheh trashëgiminë e tij politike t’i shkërmoqet, partinë e tij t’i degradojë dhe t’i shkatërrohet para syve”.

“Meta sheh që çdo besueshmëri publike e ka humbur për të mos thënë që ka qenë kundër vendosmërisht ndaj reformës në drejtësi dhe shumëçka tjetër”, tha Spiropali gjatë një interviste televizive.

“Ilir Meta nuk ka nevojë të mundet, pas është i mundur. Ishte e qartë për të gjithë se jo vetëm frika e kish pushtuar, por edhe logjika e kishte lënë, sepse një President republike që flet me atë gjuhë s’ka asnjë koherencë”, – tha Spiropali.

Ministrja Spiropali u shpreh se “nuk ka asnjë forcë politike në Shqipëri krahasim me PS-në dhe Edi Ramën si lider”.

E pyetur nëse Rama dështoi me negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian Spiropali tha se “ne kemi raportin e Komisionit Europian, deklaratën e Komisionerit të Zgjerimit, në mars kemi marrë dakordësinë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të çelin negociatat”.

“Ne nuk kemi ende qëndrimin zyrtar të shtetit të Holandës. Nuk është mbledhur ende tryeza ku shtetet mbajnë qëndrimet e tyre zyrtare”, – theksoi Spiropali.

Sipas saj, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë marrë vendimin për çeljen e negociatave.

“Ndërsa në tryezën ndërqeveritare do të merret zyrtarisht vendimi nga shtetet. Shqipëria është në tryezë se diskutohen të dyja shtetet, është çështje e datës kur ulesh për të negociuar për kapitujt, atëherë fillojnë kushtet e vërteta, kapitull pas kapitulli”, – tha Spiropali.