Sa më i shpejtë izolimi pas shfaqjes së simptomave të para, aq më i ulët rreziku i përhapjes së infektimit nga Covid-19. Kjo është këshilla që jep një studim britanik i publikuar në revistën shkencore Lancet, ku thuhet se të infektuarit me koronavirus e përhapin më shumë dhe më shpejt virusin gjatë 5 ditëve të para të infektimit.

Shkencëtarët britanikë thonë se gjatë periudhës deri 5 ditë pas shfaqjes së simptomave të para, Covid-19 shfaq nivelin më të lartë të shumimit dhe përhapjes tek personat e infektuar, por edhe tek personat e tjerë, kryesisht përmes kollës dhe teshtimave. Periudha e shumimit të virusit zgjat në total deri në 9 ditë, por pas ditës së 5-të shumueshmëria bie.

Mbajtja nën mbikëqyrje e pacientëve me tamponë ka treguar se në fytin e tyre janë gjetur pjesëza të Covid-19, deri 17 ditë pas simptomave të para. Por pas ditës së 9, shumica e të infektuarve nuk përbëjnë më rrezik për përhapjen e virusit. Për të arritur në këto përfundime, shkencëtarët britanikë janë bazuar në analizimin e 79 raporteve të kryera në gjithë botën për Covid-19.