Imuniteti ndaj koronavirusit mund të zgjasë me vite, madje edhe me dekada, sipas një studimi të ri të një grupi shkencëtarësh të njohur që ka zbuluar se personat që janë shëruar nga COVID-19 kanë zhvilluar nivele të qëndrueshme të qelizave B dhe T, raporton New York Times. Këto qeliza janë të nevojshme për të luftuar kundër virusit, dhe mund të jenë të pranishme në trupin e njeriut për një kohë të gjatë.

Hulumtuesit kanë analizuar mostrat e gjakut të 185 pacientëve të moshës nga 19 deri në 81-vjeç, të cilët në fillim të pandemisë rezultuan pozitiv me koronavirus, ku edhe zbuluan se shumica prej tyre kanë mjaftueshëm qeliza në luf tën kundër virusit dhe që mbrojnë nga një infektim tjetër i mundshëm. New York Times e ka cilësuar si “hulumtimin më gjithëpërfshirës në përgjigjen e sistemit imunitar ndaj koronavirusit”.

Korrespondentja e New York Times, Aporvi Mandavili, ka shpjeguar se shumica e të infektuarve me COVID-19 do të jenë “për një kohë të gjatë të mbrojtur nga ri-infektimi”. Ndërsa vaksina mund të prodhojnë edhe një mbrojtje më të gjatë të sistemit imunitar. “Sigurisht se nuk do të kemi nevojë t’i vaksinojmë njerëzit çdo vit siç kemi supozuar më parë”, ka shkruar Mandavili. Vlen të theksohet fakti se shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit që kanë kaluar virusin SARS, kanë gjurmë të qelizave të rëndësishme edhe 17 vite pasi janë infektuar.