Integrimi politik dhe ekonomik drejt strukturave dhe tregjeve europiane do të bëjë të mundur krijimin e një rrjeti të përbashkët rajonal në lehtësimin e tregtisë mes vendeve të Mesdheut. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në takimin e 11-të Ministrave të Tregtisë së vendeve të Mesdheut, i cili u zhvillua online. Gjatë këtij takimi Ministrja Denaj, prezantoi para homologëve arritjet që Shqipëria ka realizuar, edhe pse në një kohë që është kohë sfiduese për të gjithë botën. “Kthimi së bashku në këtë moment, për të vazhduar ose ndërmarrë iniciativa të reja për ndryshimin e politikave, është më e rëndësishme se kurrë”, tha Ministrja.
“Ne kemi krijuar Komitetin Kombëtar për Politikën Tregtare dhe Koordinimin e Lehtësimit të Tregtisë, i cili funksionon si një forum politikëbërës mbi tregtinë në një nivel kombëtar që koordinon dhe konsultohen politikat e tregtisë me sektorin privat”, u shpreh Ministrja në fjalën e saj. Ministrja vlerësoi gjithë hapat e ndërmarrë dhe kontributin e dhënë në Planin Shumëvjeçar për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale për 2017-2020 brenda Gjashtë Ballkanit Perëndimor (6). “Në këtë kontekst ne jemi angazhuar për të siguruar një zbatim më efektiv të marrëveshjeve ekzistuese bilaterale dhe rajonale të tregtisë, që me mbështetjen e Sekretariatit të CEFTA-s dhe Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit, ne kemi avancuar bashkëpunimin në katër fusha kryesore: tregtia, investimet, lëvizshmëria dhe integrimi dixhital”, u shpreh Denaj.
Një ndër hapat e rëndësishmë Ministrja Denaj cilësoi kryesimin e CEFTA, nga vendi ynë, ku u miratua Vendimi për Njohjen e Përbashkët të Operatorëve të Autorizuar Ekonomik dhe Protokollin Gjashtë (6) për Liberalizimin e Tregtisë në Shërbime. Ndërkohë që iniciativat e korsisë së gjelbër në pikat ndërkufitare për produktet midis palëve të CEFTA, por gjithashtu t’i zgjerojmë ato edhe në pikat ndërkufitare me anëtarin e BE, deri në vitin 2021, shihet si një mundësi shumë e mire.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj nënvizoi, se sipas Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal për 2021-2024, ne shpresojmë që një angazhim i zgjeruar politik i gjashtë Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të arrijmë qëllimin e rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit dhe uljen e kohës dhe kostove mbi tregtinë.
“Ne jemi të etur për të ndërmarrë masa të mëtejshme afatshkurtra dhe afatmesme që do të thellojnë integrimin tonë rajonal, si një hap i domosdoshëm drejt qëllimit tonë të përbashkët për të lehtësuar tregtinë”, u shpreh Ministrja Denaj gjatë Takimit të Ministrave të Tregtisë së vendeve të Mesdheut.