Të ardhurat tatimore për 10-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 98.9 % të planit të 10-mujorit, rishikuar me Aktin e fundit Normativ të Buxhetit.

Sipas raportit mbi treguesit fiskal të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat totale për 10-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 347 miliardë.

Të ardhurat e arkëtuara nga drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 304.6 miliardë lekë, 32.2 miliardë më pak ose -9.6% krahasuar me vitin 2019, si dhe 3.45 miliardë ose 1.1% më pak se plani vjetor (i rishikuar sipas Aktit Normativ) për vitin 2020.

Referuar ministrisë, shpenzimet e përgjithshme publike, për këtë periudhë, u realizuan në masën 89.6% të planit të periudhës. Në shpenzimet e përgjithshme publike, përfshihet edhe paketa financiare antiCOVID, e parashikuar përmes dy akteve normative të buxhetit të vitit 2020.

“Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10-mujorin e vitit 2020, arritën në 412.65 miliardë lekë me një realizim në masën 89.6 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 5.8 % më i lartë ose rreth 22.6 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 96.8% dhe 85.4% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetor ato janë realizuar përkatësisht në, 77.8 % dhe 64% të planit vjetor”, thuhet në raportin e publikuar nga MFE.

Sipas MFE, në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e dhjetë të vitit 2020 rezultoi në rreth 65.5 miliardë lekë.