Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se, “buxheti që ne kaluam në Kuvend dje me 84 vota besoj është buxhet historik, që krizat e mëdha i kthen në mundësi të mëdha”.

“Nuk është një buxhet i zakonshëm. Është praktikisht buxhet lufte. Dhe jo vetëm për arsye të pandemisë, por edhe për shkak të tërmetit të vitit të kaluar”, tha ajo në një intervistë televizive.

“Ekonomia dihet, nuk ka nevojë të jesh ekspert për të thënë që ka kaluar një situatë të vështirë në 2020-ën për shkak të pandemisë. Ama ne i jemi përgjigjur shumë fort, shpejt dhe me një buxhet të konsiderueshëm të gjitha sfidave”, u shpreh Spiropali.

“Shëndetësia ka rritjen më të madhe të buxhetit. Rritja është 23% për shëndetësinë dhe parashikon edhe rimbursimin e ilaçeve të kurave ambulatore. Parashikon vaksinën falas për popullatën dhe parapagesën që është bërë. Rritjen e pagave për personelin shëndetësor, mjekë dhe infermierë, në nivelin 40%. Pra një rritje historike e buxhetit të shëndetësisë”, theksoi Spiropali.

“Ne prisnim një krizë ekonomike shumë të rëndë në 2020-ën, por ekonomia shqiptare tregoi elasticitet. Ne jemi kthyer praktikisht në shifrat e para pandemisë tani për sa i përket stabilitetit, rritjes ekonomike dhe punësimit. Sigurisht nuk janë rikuperuar të gjitha vendet e punës. Ama nga 44 mijë vende pune që u humbën janë rikuperuar 33 mijë vende pune. Kjo me shifra zyrtare”, u shpreh Spiropali.

Ajo nënvizoi se, “buxheti i 2021 është një buxheti i bërë pikërisht në nevojën e madhe për t’iu gjendur të gjitha grupeve të interesit, por edhe për të nxitur ekonominë. Normalisht pritej që ky të ishte buxhet i shkurtimeve të mëdha për shkak të krizave. Përkundrazi ne krizën e kemi kthyer në mundësi dhe po të shohësh të gjithë elementët e buxhetit, por edhe grupet të cilëve ne iu jemi gjendur dhe do t’i gjendemi me këtë buxhet, duke nisur nga rindërtimi që është një projekt madhor, social mbi të gjitha, sepse bëhet fjalë për njësi banimi, shtëpi falas, për pallate, për infrastrukturë ndërtuese, shkolla dhe nuk janë pak, por janë rreth 125 shkolla që do të rindërtohen, qendra shëndetësore, ujësjellës etj.”.

Spiropali u shpreh se, “ky buxhet, është buxheti i ekonomisë familjare. Janë zeruar taksat për biznesin e vogël. Rreth 30 mijë biznese do kenë zero tatimfitimi. Dhe rreth 33 mijë zerim të TVSH-së”.

Spiropali shtoi se, ky është edhe buxheti i drejtësisë sociale dhe buxheti i rimëkëmbjes.

“Do të dyfishohet ndihma sociale, pagesa e papunësisë. Kemi zerimin e taksave për biznesin, që dhe kjo heq pjesë të buxhetit. Kemi më tej subvencionet e naftës që u vijnë në ndihmë 300 mijë fermerëve. Pra të gjitha ekonomitë familjare që mbahen me punën e ndershme ndihmohen nga ky buxhet në mënyrë të konsiderueshme”, tha ajo.