Ditën e hënë Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë nen për nen buxhetin për vitin 2021, por me një sërë ndryshimesh pas rritjes së fondeve për disa institucione. Fokusi i këtij buxheti do të jetë përballimi i pandemisë Covid-19 dhe rrjedhimisht, institucioni që ka përfituar më shumë para është Ministria e Shëndetësisë. Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ekonomisë, buxheti i ministrisë së Shëndetësisë është rritur me 2.2 miliardë lekë, duke shkuar në total 70 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaceve që përdoren për pandeminë. Gjithashtu nga buxheti i vitit të ardhshëm do të përfitojnë dhe naftëtarët e Ballshit, ku vlera totale arrin 560 milion lekë. Ky fond shtesë erdhi si rezultat i marrëveshjes së kryeministrit Rama me punonjësit e rafinerisë të cilët për 12 muaj do të përfitojnë një rrogë prej 40 mijë lekësh në muaj plus dhe siguracione të paguara.
Pritshmëritë për të ardhurat e buxhetit do ta kalojnë vlerën prej 479 miliardë lekësh të përcaktuar fillimisht, dhe me shtesat buxhetore të miratuara të ardhurat mund të arrijnë mbi 483 miliardë lekë. Seanca e së hënës do të mbizotërohet nga diskutimet për buxhetin por në axhendë nuk pëjashtohen as diskutime te tjera, si interpelanca me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj të kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare mbi rezultatet të luftës ndaj trafikut të narkotikëve dhe vrasjeve e grabitjeve. Gjithashtu do të miratohen dhe disa ndryshime në ligjin për partitë politike i cili duhet te harmonizohet me percaktimet e bera ne kete Kod pas ndryshimeve të miratuara në Kuvend në 23 qershor.