Ndërsa luftojmë me pandeminë, ekspertët vazhdimisht po përsërisin disa këshilla të domosdoshme për pacientët e infektuar me Sars-Cov-2.Pas këshillave kryesore maskë, higjienë, distancë, në rast se infektoheni, duhet të keni vëth në vesh disa udhëzime nga mjekët, të cilat në rast se nuk zbatohen do ta përkeqësojnë luftën tuaj me virusin.

Hapi i parë që duhet të bëni pasi rezultoni pozitiv me kovid: Këshillimi me mjekun e familjes!Në çdo dalje mjekët ekspertë po përsërisin vazhdimisht thirrjen që çdo kush që rezulton pozitiv për Covid-19, hapi i parë që duhet të ndërmarrë, është këshillimi me mjekun e familjes. Udhëzimet e tij, do t’ju shmangin një sërë gabimesh që mund ta përkeqësojnë gjendjen tuaj shëndetësore. Është vetëm mjeku i familjes ai që e vlerëson rastin dhe ai që përcakton hapat pasardhës, në varësi të nevojave që ka pacienti. Në rast se nuk e dini, se kush është mjeku juaj i familjes, tashmë në e-albania, mund ta mësoni duke hyrë përmes adresës suaj.

Përdorimi i antibiotikëve! Sipas të dhënave nga INSTAT importet e barnave, shënuan një rritje të ndjeshme në muajin tetor, duke arritur një rekord historik. Arsyeja kryesore është kovidi. Këshilla e mjekëve ekspertë për pacientët e infektuar është kryesore në luftën ndaj kovidit: Mos përdorni asnjë antibiotik pa këshillën e mjekëve. “Përdorimi i pavend i antibakterialeve, do të sjellë pasoja në lidhje me rezistencën e mikroorganizmave”, u shpreh mjeku Tritan Kalo, pak ditë më parë. Edhe në këtë rast, kontakti me mjekun e familjes, është këshilla parësore që vijon të përsëritet. Në varësi të sëmundjeve shoqëruese, dhe kartelës suaj shëndetësore, ai do të vlerësojë se cilat barna duhet të përdorni për të luftuar infeksionin. “Antibiotikët nëse keqpërdoren do të bëjnë të pamundur trajtimin e infeksioneve. Është vetëm mjeku i familjes ai që e vlerëson rastin dhe ai që përcakton mjekimin e një pacienti”, u shpreh mjeku Kalo.

Pacientët po përdorin skema mjekimi që janë jashtë logjikës mjekësore, shprehen mjekët. Edhe kryeministri Rama, në javën e shkuar në Kuvend, përsëriti thirrjen që çdo pacient, të ketë kontakt vetëm me mjekun e familjes, pasi recetat e marra nga pacientët e tjera, vetëm sa do të përkeqësojnë gjendjen tuaj. Ndodh që në rrjetet sociale, njerëz të njohur të infektuar, të ndajë në llogaritë e tyre trajtimin që po përdorin. Por mjekët ekspertë, përsërisin se çdo trajtim, jepet në varësi të shkallës së infeksionit, simptomave, gjendjes shëndetësore të pacientit dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese. Më shumë se kurrë, sot duhen dëgjuar ekspertët. /dritare.net