Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se e ka pranuar për herë të parë që rivali i tij demokrat, Joe Biden, fitoi zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Biden u projektua fitues, tetë ditë më parë, nga të gjitha mediat kryesore të SHBA-së, pasi rezultatet jozyrtare i dhanë atij më shumë se 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Rezultatet e bëra publike gjatë gjatë javës zgjeruan epërsinë e tij në 306 me 232 të votave në Kolegjin Zgjedhor. Trump, i cili ka pretenduar fitoren disa herë, që nga përfundimi i zgjedhjeve, përsëriti pretendimet e tij – të pabazuara – se votimet ishin manipuluar në favor të Bidenit.
“Ai fitoi sepse zgjedhjet u manipuluan”, shkroi Trump në Twitter më 15 nëntor.
Trump dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash përkundër faktit se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se nuk panë prova të parregullsive serioze. Për të siguruar rizgjedhjen, Trump do të duhet të përmbysë epërsinë e Biden në disa shtete, një rezultat që shumica e analistëve thonë se nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Fushata e Trump megjithatë shënoi një fitore ligjore më 14 nëntor kur një gjykatës i Pensilvanisë urdhëroi qarqet të mos numërojnë një numër të vogël të fletëvotimeve me postë, ose të rasteve kur votuesi nuk paraqiti identifikimin e vlefshëm në kohë.
Numri i fletëve të votimit besohet të jetë disa mijëra, të cilat janë shumë pak për të ndryshuar rezultatin në Pensilvani, ku Biden mban një epërsi prej rreth 55,000 votash. Gjykatat në Pensilvani dhe dy shtete të tjera – Arizona dhe Miçigan – kanë hedhur poshtë padi të tjera. Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë, përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve thanë më 12 nëntor se nuk kishte “asnjë provë” që votat në ndonjë mënyrë ishin të komprometuara ose të ndryshuara.