Pak orë pas lajmit se u infektua me Covid-19, mësohet se Arqipeshkëvi i Tiranë-Durrësit Imzot George Frendo është dërguar në Itali për mjekim më të specializuar.

Në një njoftim thuhet se Frendo u nis për në Bari mbrëmjen e djeshme për t’u shtruar në Spitalin Miuli të “Acquaviva delle Fonti”.

“Ju njoftojmë se SH.T. Imzot George Frendo O.P., Arqipeshkëvi i Tiranë-Durrësit dhe njëkohësisht Presidenti i Konferences Ipeshkvore të Shqipërisë, mbrëmë ka udhëtuar drejt Barit, për t’u shtruar në Spitalin Miuli të “Acquaviva delle Fonti”.

Shpresojmë se gjatë ditës do të kemi lajme më të hollësishme.

Ndërkohë vazhdojmë të kërkojmë, në lutjet tona, shërimin e tij dhe shërimin e të gjithë të sëmurëve të prekur nga kjo Pandemi”, thuhet në njoftim.

Lajmin se Presidenti i Konferences Ipeshkvore të Shqipërisë është infektuar me Covid-19 u dha ditën e djeshme përmes një njoftimi për mediat nga zyra e KISH. Ata bënë të ditur se ai ka qënë për disa ditë nën monitorimin mjekësor ndërsa ditën e djeshme u shtrua në spital pasi ishte në gjendje të rënduar shëndetësore.

Ashtu si kryepeshkopi Anastas Janullatos i cili pas infektimit u largua në Athinë edhe imzot George Frendo është dërguar në Itali për mjekim.