Kryeministri Edi Rama ndau sot dëshminë e një tjetër pacienteje të shëruar nga COVID-19, e cila falë shërbimit të mjekëve në Spitalin Infektiv, ia doli të mposht sëmundjen. Mirgena Qoshja nga Kruja solli eksperiencën e saj të përballjes me COVID, ndërsa shprehu mirënjohje për mjekët që e kthyen në jetë.

“Isha e sëmurë me COVID. Nga data 2 nëntor filluan shqetësimet e para. Pasi më doli përgjigjja e tamponit pozitiv shkova te doktoresha. Në ato momente mu duk vetja sikur isha më mirë, por gjendja u përkeqësua më shumë, u rrit temperatura dhe shkova në spital. Aty më dhanë mjekimin e parë me oksigjen dhe pastaj më dërguan në spitalin e Tiranës, tek urgjenca tek Infektivi, pavijoni i tretë. Frymëmarrja ishte e ulët, kisha nevojë për oksigjen. Gjithë kohës më kanë vënë oksigjenin. Më bën edhe skanerin. Doktoreshat vinin njëra pas tjetrës. Më kishte në patronazh Esi Duka, edhe natën vinte më kontrollonte oksigjenin 3-4 herë në ditë. Më masnin tensionin ngaqë kam edhe probleme me tensionin. Ushqimi ishte shumë i mirë dhe doktoreshat po ashtu, Najada me 4-5 doktoresha të tjera që bënin kontrollin çdo ditë në orën 8:30-9:00”, tregon Mirgena.

Ajo shprehet se e mori me frikë spitalin nga ato që dëgjonte në televizor, por më doli tjetër për tjetër. “Ngela e kënaqur dhe nuk ma merret mendja që do të shkonin gjërat aq mirë dhe do të ngrihesha në këmbë. Shumë falënderime për doktoreshën e Krujës, stafin e Krujës dhe të Tiranës”, thotë ajo.

Ndërsa bashkëshorti i Mirgenës ka një apel për të gjithë qytetarët që të mos hezitojnë t’u drejtohen spitaleve. “Nga të gjitha komunikimet që kam pasur me doktorët në lidhje me sëmundjen kam përshtypje të jashtëzakonshme për doktorët. I lutem të gjithëve mos të ngurojnë për të shkuar te spitali se atje gjen një shërbim jashtë mase të kulturuar. Mos t’i humbasin kurrë shpresat se shpëtimtarët sot për sot janë mjekët e doktorët. Falënderoj shumë nga zemra të gjithë mjekët që janë përkushtuar për nusen time dhe sot e kanë kthyer në jetë. Jemi shumë të lumtur”, shprehet ai.