Udinese befason Lazion në “Olimpico”, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 1-3 dhe të marrë një 3-pikësh mjaft të rëndësishëm, që e largon ndjeshëm nga zona e ftohtë e renditjes në kampionatin italian.

Në sfidën e parë të ditës së diel, bardhekaltrit e Simone Inzaghit ishin favoritë për të marrë tre pikët, por në fushë gjërat nuk shkuan aspak mirë për kryeqytetasit, që pësuan humbjen e tretë sezonale dhe mbetën në kuotën e 14 pikëve.

Mesfushori Arslan zhbllokoi sfidën në minutën e 18-të me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, që gjeti edhe devijimin e mbrojtësve të Lazios dhe u bë e paarritshme nga ana e portierit Thomas Strakosha, i cili u rikthye titullar sot për kryeqytetasit.

Reagimi i Lazios ishte i dobët dhe gjatë pjesës së parë Immobile me shokë nuk shkuan asnjëherë rrezikshëm në zonën e Udineses, që në shtesë gjeti edhe golin e dytë me anë të Pussettos, i cili lëvizi bukur në zonë pas një pasimi të marrë nga De Paul.

Inzaghi freskoi skuadrën në fillim të pjesës së dytë, por protagoniste ishte sërish Udinese që gjeti edhe golin e tretë, këtë herë me sulmuesin Forestieri, i cili vulosi suksesin e friulianëve në transfertën kryeqytetase.

Immobile provoi të rihapë takimin në minutën e 74-t, me një penallti të fituar dhe ekzekutuar saktë po vetë, por goli vlejti vetëm për statistika personale për sulmuesin italian, pasi Lazio nuk arriti të shmangë humbjen.