Në takimin e djeshëm me Asamblenë Socialiste në Kavajë, Koordinatori i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se socialistët e kërkojnë fitoren më 25 prill jo për të sunduar, por për të çuar deri në fund projektet transformuese, duke ndërtuar shtëpitë dhe pallatet e tërmetit, shkollat e reja dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme për një cilësi më të mirë jetese.
“E kemi ndarë mendjen për 25 Prill, e kemi ndarë mendjen për fitoren, e kemi ndarë mendjen që ta kthejmë Kavajën në një bastion të Partisë Socialiste. Jo për të sunduar, por për të bërë punë; jo për të sunduar, por për t’i dhënë shtëpi të gjithë atyre që ua mori tërmeti; jo për të sunduar, por për të mbaruar ato pallatet për të gjithë ata që dolën të pastrehë; jo për të sunduar, por për të bërë të gjithë rrjetin e ujërave të zeza që të kemi një turizëm modern; jo për të sunduar, por për të mbaruar ato të 7-ta shkollat që djemtë dhe vajzat e Kavajës të kenë të njëjtin shans, si ata që janë në mes të Tiranës apo kudo tjetër në rajonin tonë edhe në Evropë”, u shpreh ai.
Veliaj shprehu besimin se edhe në Kavajë, ashtu sikurse në shumë lagje të Tiranës, që dikur konsideroheshin bastione të së djathtës, falë punës që është bërë, votojnë sot për PS.
“Pse ju mendoni që gjithë Tirana është e gjitha socialiste? Nuk ka aty njësi që janë edhe ndoshta më të mëdha se gjithë Kavaja, siç ka qenë njësia 11, njësia 8, siç ka qenë Lapraka, Pazari i Ri, zona që i ka pasur ‘gjumi’ bastione. Po falë mirësisë, falë dashurisë, falë bashkëpunimit dhe falë punës ne në Tiranë fitojmë bindshëm edhe tek rrugica e Lul Bashës, edhe tek lagjja e Sali Berishës, kjo është diferenca mes nesh dhe atyre. Unë do të doja shumë që këtu në Kavajë ne realisht të bënim këtë diferencë, të flasim me të gjithë, t’i shtrijmë dorën kujtdo dhe t’i themi që ne jemi fitues, këtë nuk e luan as topi, po nëse dhe ti na jep një dorë, do të kemi një fitore historike për Kavajën edhe për të gjithë Shqipërinë”, theksoi koordinatori politik i PS.