Nga fushat e reja të sportit në Laprakë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Njësisë 11 për një mandat të tretë qeverisës për Edi Ramën dhe PS-në. Duke e krahasuar Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën me personazhin e famshëm Robert Çamçakizi, Veliaj tha se ata janë kthyer në brigadierë komunalë.

“Lulit e Monës do i gjejmë një punë, meqë ambicja e tyre është ende te bashkia, te punët e komunales. Do i marrim si Robert Çamçakizi, si inspektorë komunalë, të vijnë vërdallë nëpër kantiere, për sa kohë që na e bënë të qartë se fiksimi i tyre është të punojnë në bashki e të mbikëqyrin punimet. Kurse qëllimi i Edi Ramës dhe PS-së është të transformojë Shqipërinë nga cepi në cep”, tha ai.

Veliaj shtoi se Partia Socialiste e Shqipërisë është motori i ndryshimit, që sot është i prekshëm në Laprakë, në Kodër Kamëz dhe në të gjithë Shqipërinë. “Ne do të vazhdojmë përpara kudo me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. E keni parë që pasi iu sulën shkollave, tani iu sulen shtëpive, rrinë tërë ditën tek “5 Maji”, ku kanë filluar themelet e shtëpive të reja. Rrinë tërë ditën aty dhe mundohen të injektojnë frikë, përçarje, dyshim, shpifje. Teksa ne japim përditë nga një shtëpi, përditë fillojmë një punë të re, dy familjet më të pasura të Shqipërisë, familja e Monës dhe familja e Lulit, nuk strehuan një njeri, nuk dhanë një palë çelësa. Kanë bërë para pa fund, kanë shtuar vila pa fund”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje demokratëve dhe anëtarëve të LSI-së që janë zhgënjyer nga Basha dhe Kryemadhi, t’i bashkohen PS-së. “Kur ishim në Farkë, takuam kryetarin e PD-së, i cili na tha: Do të bëhem me ju se më bëtë shtëpinë, do bëhem më ju se u interesuat kur ra tërmeti. Partisë time nuk i ra në mend a jam gjallë a kam vdekur. I thashë normal, Lul Basha u bë me 4 vila nga tërmeti, hapi edhe panik tek pallati vet, ndërkohë që pallatin e ka për bukuri”, deklaroi Veliaj.