Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është i bindur se Partia Socialiste do të fitojë edhe në zonën e Astirit, edhe në Kashar, si kurrë më parë sepse njerëzit janë të lodhur nga bllokimet e projekteve, por duan vetëm punë. Në Asamblenë e PS në Njësinë Kashar dhe në lagjen 14, Veliaj shtoi se po punohet për të fituar kohën e humbur me bllokime politike, duke kryer investime që do përfshijnë të gjithë zonën, ku popullsia është shtuar shumë vitet e fundit.
“Kultura që ti mund t’i bllokosh projektet duke djegur goma, duke vënë barriera, duke përdorur politikën për çdo bllokim, është diçka që më ka ndodhur këto 5 vite. E filluan te këndi i lodrave: shkonte Presidenti i Republikës protestonte te këndi i lodrave; shkonin, merrnin kangjellat dhe si barbarë i tërhiqnin në sheshin “Skënderbej”; shkonte deputeti me patllake të protestonte për lisharëset…! Rezultati? Fitore masive për Partinë Socialiste, se njerëzit shpërblejnë punën, jo dhunën. E njëjta gjë do ndodhë te Astiri. Unë refuzoj ta pranoj që Astiri përfaqësohet nga ata 5 rrugaçë që pamë 3 vite”, u shpreh Veliaj.
Duke renditur investimet në infrastructure, që do e transformojnë gjithë zonën e Astirit, kryebashkiaku tha se ato do t’i shërbejnë jo vetëm Tiranës, por të gjithë Shqipërisë.
“Sot ka filluar edhe loti i fundit, që do transformojë arterien më të rëndësishme të transportit, të ekonomisë, të zhvillimit, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Lajmi i mirë është se shumë shpejt, përveç rrugës, do fillojmë edhe shkollën 9-vjeçare, edhe shkollën e mesme, dhe nuk do ndalojmë, sepse 99% e Astirit janë njerëz të ndershëm, janë njerëz që kërkojnë hakën e tyre, që mos ngelen një xhep. Unë e di çfarë kemi trashëguar nga ish-komuna dhe qeverisja e PD, që nuk di të bëjë as qytet, as shtet. Kush kalon te Astiri i ka parë ato zig zag-et, si lodër për kalamajtë, ndërkohë që ai është qytet më vete, në realitet janë afro 80 mijë banorë, atëherë duhet të trajtohet si qytet më vete. Ka ardhur koha të fillojmë zhvillimin kapilar. Një lajm i shkëlqyer është ardhja e ujit. Kryetari i komunës jepte lejet si të ishte fshat, akoma pa rrjet uji, të gjithë duke marrë ujë nga puset e Laknasit. Jemi duke bërë 5 galeri nëntokësore, një rast i paprecedentë, se është hera e parë që një infrastrukturë nëntokësore e këtyre përmasave po bëhet në Republikën e Shqipërisë,” u shpreh kryetari Veliaj.