Dje në qytetin e Shijakut ishte i pranishëm
Ambasadori i Zvicrës Z. Adrian Maitre, Ministri për Punët e Jashtme të Zvicrës, Z. Ignazio Cassis dhe ministrit jonë i Rindërtimit Z. Ahmetaj. Kryebashkiaku Elton Arbana shprehu falenderimet e tij për mbështetjen që ka dhënë shteti zvicerian për të prekurit nga tërmeti i nëntorit.
Postimi i plotë I nderuar Shkëlqesia juaj, Ambasadori i Zvicrës z. Adrian Maitre, i nderuar Ministër i Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Ignazio Cassis, i nderuar Ministër i Rindërtimit z. Ahmetaj.
Në këtë ditë më lejoni që në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë të mirëpresim në qytetin e Shijakut Shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Zvicrës z. Adrian Maitre, Ministrin zvicerian për Punët e Jashtme, z. Ignazio Cassis dhe ministrin tonë të Rindërtimit z. Ahmetaj. Shijaku është qyteti ynë i vogël por me histori të madhe. Banorët e tij janë njerëz që e duan jetën, e duan punën, e mbi të gjitha e vlerësojnë atë për një të ardhme më të mirë. Sapo mora detyrën time si kryebashkiak u përballa me sfida të mëdha, nisur me tërmetet dhe ende vazhdojmë të luftojmë me pandeminë që ka pllakosur të gjithë botën.
Tërmeti i shtatorit dhe i nëntorit 2019 shkaktuan dëme të shumta materiale, pallate të rrënuara, njerëz të pastrehë e të frikësuar, por fatmirërisht nuk kishim v iktima. Askush nga ne nuk ishte i përgatitur për të përballuar tokën që dridhet. Vetë jeta jonë u trondit dhe ndryshoi nga themelet.
Por unë dhe administrata e Bashkisë nuk u dorëzuam. Dhimbja na u kthye në forcë, sepse kishim përgjegjësinë e madhe për t’i shërbyer njerëzve tanë. Krijuam ambiente provizore strehimi dhe ofruam vakte të ngrohta çdo ditë për të pastrehët, i kemi qëndruar pranë si një familje për t’i dhënë forcë që gjërat do të përmirësohen, sepse Shijaku është familja ime e madhe.
17 shkurti i 2020, dita kur u mbajt Konferenca e Donatorëve erdhi si rreze shprese për Shijakun tonë. Falë Kryeministrit Edi Rama, angazhimit të tij maksimal, donatorë nga shtete të ndryshme të botës na mbështetën me 1.15 miliard euro. Jemi falenderues që na dhanë një mbështetje të tillë. Mbi rrënojat e shtëpive dhe pallateve të shembura më pas, ne ngritëm shpresën për një të ardhme më të mirë.
Drita jeshile erdhi falë mbështetjes së padiskutueshme që na ka dhënë dhe po na jep Kryeministri Rama, Qeveria shqiptare dhe ndihmës së çmuar që ka dhënë shteti Zvicerian së bashku me donatorë të tjerë. Jemi pafund mirënjohës! Nuk mund të bëjmë asgjë për të ndalur tërmetin, por kemi forcën njerëzore për të ndrequr rrënojat që na la pas.
Shteti Zvicerian na u gjend pranë në një moment të vështirë, në fakt miqtë e vërtetë duken në kohë të vështira. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, kanë nisur 50 vite më parë. Rrugëtimi historik i marrëdhënieve diplomatike 50 vjeçare përfshin ato ekonomike, politike dhe shoqërore. Këto marrëdhënie miqësore, diplomatike dhe njerëzore mes dy popujve sot janë më solide se kurrë më parë.
Më konkretisht, misioni zviceran për tërmetin në Shqipëri ishte nga të parët që mbërriti si ndihma e shpejtë pas tërmetit. Ekipi Zvicerian i ndihmës humanitare, siguroi strehim për shumë familje të pastreha në Shijak, duke vënë në dispozicion çadra dimërore, shtretër dhe batanije. Të qenit afër me komunitetin në rast vështirësie kaqenë thelbi i asistencës humanitare e cila u bë e mundur me mbështetjen afatgjatë të projektit “Bashki të forta”.
Një skemë për mbështetje financiare u ngrit dhe u kanalizua me Ministrinë e Rindërtimit nga shteti Zvicerian për familjet me nivelin e dëmit DS1, DS2, DS3 duke ndihmuar 228 familje nga 1505 ne total që qeveria ka suvencionuar. Sa më shumë punon, aq më shumë krijon ëndrra për të ardhmen dhe kupton se pas shumë sakrificave, buzëqeshja dhe gëzimi kanë më shumë vlerë.
Pavarësisht se jemi në periudhën e kufizimeve për shkak të pandemisë, misioni ynë për të ndërtuar apo riparuar shtëpitë e familjeve të prekura vazhdon, si një nga prioritetet më të mëdha të Kryeministrit Rama dhe pushtetit vendor. Më kujtohen fjalët e të madhes Nënë Tereza kur thoshte: Po bëre mirë mund të të qortojnë, Të thonë hir e pa hir Se do të kënaqësh veten:
S’ka gjë, ti prap bëj mirë!
Gjithçka ke të mirë, jepja botës. E di, do të të shkelin nën thembër: S’ka gjë, ti prap jepja botës, Gjithçka ke të bukur në zemër! Shijaku është në Rindërtim, duket rrëmujë, Por nga gjithë kjo zhurmë e pluhur ne me entuziazëm po rindërtojmë të ardhmen tonë si qytet me standarte europiane.
Pasi të përfundojë Rindërtimi kur të hedhim sytë përreth do të shohim një qytet të ri, të transformuar, me parqe e hapësira publike të sistemuara, me shkolla, kopshte, çerdhe të reja dhe më të forta. E shikoj Shijakun tonë dhe fshatrat e tij perreth plot turistë, sepse natyra është mbresëlënëse dhe investimet që po bëhen do të jenë një atraksion për tu vizituar.
30 pallate të reja do të rindërtohen, 27 pallate janë riparuar, 567 shtëpi po ndërtohen, 2 gjimnaze, 4 shkolla 9-vjeçare, 2 kopshte, Çerdhja, Xhamia Pallati i Kulturës.
Ne do vazhdojmë të punojmë me pasion, energji, dhe përkushtim për Shijakun që të gjithë duam. Suksesin dua ta kthej në një progres të menduari, rritje të cilësisë së jetës të gjithë qytetarëve shijakas. Faleminderit shtetit të Zvicrës, si miqtë tanë të çmuar, Kryeministrit Edi Rama për gjithë ndihmën që ka dhënë e po jep për qytetin e Shijakut. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!