Në betejën me armikun e padukshëm, më shumë se 1600 mjekë të familjes në të gjithë vendin po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, duke trajtuar pacientët e prekur me COVID-19, që ndodhen në shtëpi me simptoma të lehta, sipas protokolleve të caktuara, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, i cili ndau një video të mjekes së familjes në Qendrën Shëndetësore Nr.2 Berat, Marjola Berdufi. “Sot mjeku i familjes e ka në kohë reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit përmes kartelizimit elektronik të pacientëve, ndërkohë që po në mënyrë elektronike, me kodin e recetës së tyre, qytetarët mund të tërheqin në farmaci, barnat e rimbursueshme për trajtimin ambulator”, shprehet Rama.
Doktoreshë Marjola Berdufi, e cila mbulon një zonë shërbimi prej 2640 banorësh shprehet se, “mjekët e familjes janë në vijën e parë për të trajtuar rastet e personave të infektuar me COVID, format e lehta dhe të mesme, stadet e para dhe të dyta”.
“Në momentin që një pacient shfaq simptomat e COVID-it, ose dyshon që mund të jetë i infektuar, mund të ketë pasur kontakte me një person të infektuar, paraqitet në qendrën shëndetësore, ose kontakton nëpërmjet telefonit, duke shprehur simptomat dhe nëse vlerësohet që kjo simptomatikë shkon për COVID dhe ky person mund të jetë i infektuar me COVID, atëherë në bashkëpunim me njësinë vendore të kujdesit shëndetësor bëhet një planifikim për bërjen e tamponit. Pasi realizohet tamponi vazhdon ecuria, ndjekja e pacientit nga ana ime”, thotë ajo. Ne, thekson mjekja Berdufi, “ndjekim nëpërmjet një protokolli që ka muaj tashmë që është në dorën tonë. Çdo ditë kontaktohet me pacientët e infektuar me COVID, nëpërmjet telefonit ato pyeten për gjendjen e tyre shëndetësore, simptomat që kanë shfaqur, si ka qenë ecuria gjatë ditës. Këto telefonata ndodhin madje disa herë gjatë ditës, edhe jashtë orarit zyrtar të punës. Duke i këshilluar për pjesën e mjekimit, trajtimin medikamentoz, dietën, regjimin ushqimor që ata duhet të ndjekin gjatë kësaj periudhe, si dhe zbatimin e masave për mospërhapjen e COVID-it brenda familjes, me një higjienë sa më të mirë personale”.
“Në momentin që shohim që pacienti paraqet një agravim të situatës, atëherë do të bëhet referimi i tij nëpërmjet komunikimit me 127-ën. Pacienti transportohet në spital. Vizitat që ne bëjmë, komunikimi i përditshëm me pacientët me COVID, dokumentohet në kartelat personale që ne hapim për çdo pacient. Krahas kartelës fizike ato hidhen dhe në sistem çdo ditë. Është sistemi online që ne kemi tashmë prej vitesh që e përdorim. Hidhet formulari i vizitës dhe bëhet ndjekja. Hidhen të gjitha parametrat që pacienti ka çdo ditë”, thotë ajo. Mjekja thekson se, “janë miratuar dhe protokollet për trajtimin e pacientëve në banesë. Ka hyrë lista e barnave të rimbursuara dhe nëpërmjet protokolleve të mirëpërcaktuara bëhet dhe trajtimi i tyre nëpërmjet barnave të rimbursueshëm. Përpilohet receta elektronike, e cila është me rimbursim 100%, kodi i kësaj recete i dorëzohet familjarit dhe ai shkon dhe e tërheq në të gjitha farmacitë që janë me kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.
“Kjo është një betejë, e gjatë, e vështirë që ne kemi nisur prej disa muajsh. Të gjithë pacientët duhet të kenë besimin tek mjekët, tek mjeku i familjes, tek mjeku specialist, sepse janë mjekët ata që po mundohen që ne t’ia dalim”, përfundon mjekja Marjola Berdufi. Ndërsa një ish-paciente e doktoreshë Marjolës tregon se, “kam pasur bashkëshortin që kaloi COVID-in. Kemi qenë në kontakt gjithë kohën. Na është përgjigjur në çdo moment dhe në orare jo të përshtatshme. Na merrte shpeshherë që na pyeste për gjendjen e bashkëshortit. Filloi 5 ditët e para ka qenë në shtëpi gjithë kohën nën kontrollin e doktoreshë Marjolës, pastaj gjendja u përkeqësua. Kemi shkuar në spital”. “Gjatë gjithë kohës që sëmundja ishte e vështirë dhe me stres kishim ndihmën e doktoreshë Marjolës, na jepte kurajo dhe thoshte që do kalojë gjithçka. Dhe e vërteta qëndron që unë dola fitimtare”, thotë ajo.