Në datë 10 dhjetor 2020 hapet thirrja e tretë në Programin IPARD II. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video informuese nga drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca e cila shpjegon mënyrën e aplikimit për fermerët për thirrjen e tretë të programit IPARD II, i cili ka një buxhet prej 29.1 milionë euro. “Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e aplikimeve më datë 10 dhjetor, për thirrjen e 3-të, të Programit IPARD II në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë dhe zonave rurale”, tha Rama. “Ky program ka rezultuar transformues dhe me një ndikim të madh në rritjen e standardeve në sektorin e bujqësisë në vendin tonë”, shprehet Rama. “Vazhdoni të bëheni pjesë e kësaj nisme mbështetëse dhe nëse s’e keni bërë deri tani, ky është momenti juaj. Ndiqni, të mërkurën më 9 dhjetor, ora 12:00 nëpërmjet Facebook tek Frida Krifca dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural sesionin informues ku adresohen të gjitha pyetjet për të kryer aplikime të suksesshme” shprehet Rama.
Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca shprehet se për shkak të pandemisë është i pamundur takimi fizik me fermerët për të përçuar informacionin mbi mënyrën e aplikimit për programin IPARD II dhe çdo informacion do përcillet në mënyrë virtuale. “Çelim thirrjen e tretë të programit IPARD II me datën 10 dhjetor deri me 25 janar 2121. Ju keni mundësi të sillni dosjet fizike të aplikimeve pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për aplikim në Masën 1, investime në fermë në sektorin e mishit, qumështi, fruta perime dhe vreshtarisë. Dhe për sektorin e fruta-perimeve në Masën 3 që është masa e agropërpunimit. Buxheti në dispozicion për këtë thirrje është 29.1 milionë euro. Për Masën 1, investimet fillojnë nga 10 mijë euro në 500 mijë euro në një masë granti deri në 70% të mbulimit. Për Masën 3, investimet fillojnë nga 25 mijë euro deri në deri në 2 milionë euro me 50% grante financimi të mbuluar”, tha ajo.
Karfica shtoi se është e rëndësishme që ju të njiheni me kriteret dhe procedurat e aplikimit në faqen e webit AZHBR.gov.al dhe në aplikimet tuaja të jeni gjithmonë të kujdesshëm të plotësoni formularin e aplikimit dhe të gjithë dokumentacionin e kërkuar në mënyrë që të kemi aplikime të suksesshme dhe të lidhim një kontratë për investimin tuaj. “Kemi punuar fortë për t’i dhënë një frymë tjetër këtij sektori. Agjencisë, fermerëve, blegtorëve, agropërpunuesve për të treguar vlerat e vërteta të punës që mund të arrihen përmjet këtij programi. Mirëpresim projekte konkurruese nga ju të cilat nxisin zhvillimin e zonave rurale, nxisin produktivitetin në fermat tuaja, nxisin teknologjinë e avancuar në agropërpunim, në mënyrë që produkti shqiptar të shkojë i denjë dhe në përputhje me standardet e BE-së në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë dhe në eksportet në të gjithë botën. Suksese dhe takohemi në fermat tuaja”, u shpreh Krifca.
Programi IPARD është mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së (75%) dhe qeverisë shqiptare (25%) dhe synon përmirësimin e standardeve të biznesit në bujqësi dhe agropërpunim, si dhe rritjen e konkurrencës, nëpërmjet modernizimit. Skema e aplikimit për të fituar nga këto grante është vënë në zbatim me masa më të shtrënguara, sesa skema e mbështetjes kombëtare të financimit, gjë që kërkon informacione të plota dhe gjithëpërfshirëse nga fermeri shqiptar. Kriteret e aplikimit synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të fermerit për plotësimin e standardeve ligjore në përthithjen e fondeve.