Nga ARTUR AJAZI/
Mllfet, inatet, akuzat, sulmet me bazë shpifjet,mungesa e dëshirës për të bashkëpunuar për një qëllim të vetëm tejkalimin e krizës, qasja ndaj çdo tendence që rreket të përkeqësojë jetën, shëndetin dhe të ardhmen e njersve, të ngjallin neveri, dhe ndoshta më shumë se kaq. Ata që sot dalin në podiume dhe flasin në emër të “opozitës” (kur në fakt prej 3 vitesh nuk ka të tillë) duke akuzuar dhe mallëkuar kryeministrin, ministrat, drejtuesit e spitaleve, duke u bërë aleatë të së keqes, duke dramatizuar situatën dhe “parashikuar” të zymtë të ardhmen, nuk e di por më duken njëlloj si kolaboracionistët e djeshëm. Si ata që jo vetëm nuk morën pjesë në luftën çlirimtare të shqiptarëve ndaj zaptuesit, por u bënë “njësh” me ata.
U bënë aleatët e zaptuesit, duke u hedhur totalisht kundër atyre që donin lirinë, jetën e lumtur dhe begatinë e vendit. Pa hequr paralelizma mes tyre dhe qeverisjes së sotme, duhet thënë se qeveria dhe kryeministri Edi Rama, jo më kot janë vlerësuar maksimalisht, jo vetëm nga shumica e shqiptarëve, por edhe nga institucionet serioze ndërkombëtare të fushës së ndërtimeve dhe shëndetsisë. Eshtë bërë një punë e lavdishme dhe e përkushtuar qysh në fillimet e kësaj pandemie, jo vetëm me mbylljen 90 ditore (mars, prill, maj) por edhe me masat rradikale ndaj çdo mundësie që do të përkeqësonte situatën dhe jetën e popullit.
E vetmja strukturë parazite, dhe të vetmet forca destruktive, që ishin dhe mbeten jashtë dëshirës dhe përpjekjeve për të bashkëpunuar me qeverisjen e Edi Ramës në përballimin e dy krizave,tërmetit shkatërrimtar dhe COVID-19, ishin dhe mbeten partitë opozitare. Ishin dhe mbeten forcat më destruktive politike që ka prodhuar ndonjëherë ky vend, ishin dhe janë drejtuesit dhe ogiçët e tyre, që mbjellin çdo ditë panikun, rrezikun, stresin, dhe “parashikojnë” të keqen e madhe.
Nuk e di përse më duken si kolaboracionistët e djeshëm, ata që sot mbajnë fjalime dhe lexojnë deklarata shtypi “se si mund të dilet me sukses nga kriza dhe se si mund të përballemi pa pasoja me coronavirusin”, njëlloj si ata, që 76 vjet më parë bashkëpunuan me të keqen për të mbytur që në djep luftëtarët e lirisë. Situata nëpër të cilën po kalon vendi, falë masave rradikale nga qeveria e zotit Rama, pothuajse është e papërfillshme duke e krahasuar me situatën dramatike që po kalojnë vendet e zhvilluara në Europë dhe botë. Falë angazhimeve dhe veprimeve me zgjuarsi të specialistëve të fushës, Edi Rama sot ka nën kontroll jo vetëm kantieret e punës për rindërtimin e fshatrave dhe qyteteve të shkatërruara nga tërmeti 26 Nëntorit, por edhe gjendjen e pandemisë në shkallë vendi.
Llafollogët dhe “profesorët” e Dekalogut të Opozitës, nuk rreshtin së foluri dhe së mohuari gjithçka ka ndodhur, dhe po ndodh në gjithë vendin, duke bërë hasha arritjet, investimet, ndërtimet, inagurimet, ardhjen e ndihmave dhe pajisjen e sistemit spitalor me aparatura moderne, duke shpifur ditën me diell për angazhimin e mjekëve dhe infermierëve, dhe duke synuar panikosjen kronike të shqiptarëve me statistika të rreme.Të gjendur mes braktisjes dhe shpërfilljes së borive të tyre, ata po lëvizin “gurin” e fundit në përpjekjet e pashpresa për të baltosur edhe të drejtën e shenjtë, që Zoti u ka dhënë shqiptarëve duke besuar në një jetë më të mirë dhe më të begatë pas kësaj krize.