Arthur Melo, që erdhi nga Barcelona te Juventusi, nga Leo Messi te Cristiano Ronaldo, rrëfehet për Marca. Lidhur me yllin portugez, ai nënvizon: “Unë isha i befasuar nga mënyra se si ai punon. Tashmë e dija këtë, sepse njerëzit flasin për të, bota e futbollit është e vogël dhe ata ju tregojnë për këtë. Sidoqoftë, kur e shikoni vetë duke punuar, është mbresëlënëse. Ka ditë mbërrijmë në dy të mëngjesit në shtëpi, sepse kemi luajtur vonë, por ai mendon për stërvitjen e radhës. Kush e bën këtë? Vetëm Cristiano. Unë bëj shaka dhe i them se është i sëmurë, por çfarë do t’i thuash dikujt që ka fituar kaq shumë Topa të Artë. Cristiano është i shkëlqyeshëm. Që kur kam mbërritur, më ka ndihmuar shumë, sepse flasim të njëjtën gjuhë. Edhe lidhur me ushqimim më thotë se çfarë të ha. Ai kujdeset për të tjerët, gjithmonë përpiqet të ndihmojë dhe të kontribuojë me diçka.
Braziliani më pas foli për Juven dhe shokët e tij të skuadrës: “Unë jam shumë i lumtur, më kanë pritur shumë mirë. Kur arrita në Barcelonë më ndodhi e njëjta gjë. Këtu takova lojtarë me të cilët kisha luajtur vetëm në PlayStation, por tani i kisha para meje: Cristiano, Buffon, Bonucci dhe Chiellini, të gjithë janë legjenda. Kam qenë me fat, sepse gjëta Danilo dhe Alex Sandro, dy brazilianë nga ekipi kombëtar, që tashmë i njihja. Dybala flet spanjisht, si dhe Bentancur e Morata. Me Cristiano flas portugalisht. Dhe pastaj janë veteranët, që përfaqësojnë mentalitetin italian. Të gjithë shumë seriozë dhe që punojnë fort”.
Më në fund, një vlerësim për Serie A: Në fillim vuajta pak, kur mbërrita këtu, sepse mënyra e lojës është ndryshe. Kam pasur fatin të takoj një trajner, që luante në të njëjtën pozitë me mua. Ai më ndihmon dhe më thotë se çfarë të bëj e të mos bëj. Pirlo ka shumë përvojë, kështu që nuk kam zgjidhje tjetër përveçse ta ul kokën dhe ta dëgjoj. Ai shpjegon shumë mirë se çfarë dëshiron dhe e lexon kundërshtarin shumë mirë.