Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ishte sot në Kukës, ku inspektoi punimet e këtij aeroporti. Ajo bëri të ditur se ky aeroport do të jetë gati brenda afatit të përcaktuar. Ministrja u shpreh se është sfiduar edhe aeroporti i Tiranës, pasi terminali i ri do të jetë me dy kate.
“Në këtë kantier kemi një konglomerat kompanish. Ka edhe kompani të huaja që punojnë këtu. Jemi në një aeroport që është ndërtuar për qëllime militare, i ndërtuar në emergjencë gjatë luftës së Kosovës, por këtu po ndërtohet një aeroport i ri.Na duhet të themi që edhe terminali ekzistues nuk ekziston më. Jemi në përfundim të terminalit të ri që është me dy kate. Kemi sfiduar edhe Tiranën”, u shpreh ministrja.
Balluku tha se ky aeroport për shkak të relievit gjeografik, konsiderohet si aeroport me komplikacione. “Aeroporti i Kukësit për shkak edhe të relievit gjeografik, të motit të ashpër gjatë dimrit konsiderohet një aeroport me komplikim sa i përket navigimit ajror. Por ne e kemi zgjidhur këtë pjesë, në bashkëpunim edhe me kolegët në Kosovë. Kemi dizenjuar një procedurë të shkëlqyer në bashkëpunim me pilotët e Air ALbania dhe kemi arritur që të jemi shumë afër përfundimit të këtij projekti ambicioz”, u shpreh ministrja.