Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero është shprehur optimist në lidhje me efektet që do të ketë vaksina anti-covid.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ‘News24’ Pipero tha se nëse kjo vaksinë është mbi 65 % efektive, është një medikament i mirë. Mes të tjerash ai tha se aplikimi i saj bëhet në dy doza, ndërkohë që në këtë kohë qytetari duhet të ketë kujdes, pasi duhet kohë që të krijohen antitrupat.

“Të gjithë kemi menduar, dhe besojmë se zgjidhje për situatën e pandemisë është vaksina. Të gjitha masat e tjera ndihmojnë në parandalimin e pandemisë. Vaksina i jep zgjidhje. Edhe pse kam thënë se; nuk e pres mrekullinë nga vaksina. Krahas vaksinimit të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm, pasi vaksina ka hapat e saj për t’u aplikuar. Ka dy intervale. Menjëherë pas aplikimit të parë nuk do të thotë se krijon imunitet. Dhe pas vaksinimit të 2-të, duhen dy javë që të krijohen antitrupat. Lajmi për prodhimin apo aprovimin e vaksinës nuk është i papritur. Specialistët ishin të bindur se para fundit të këtij viti ishin të bindur se do të dilte një vaksinë efikase. Koha për tu aplikuar nevojitet. Bazuar në teknologjinë e re, shkenca është e përparuar. Në testimet vullnetare, në efektet të paketa anësore, flasim për efekte minimale. Duhet t’i lihet koha nëse do të ketë dëme më të mëdha, pasi është efektive. Është një relaksim për botën mjekësore, por dhe për qytetarët në mbarë globin. Në një kohë rekord kemi një armë efektive masive, për të parandaluar përhapjen e covid.”, tha Pipero.