Bisedimet për arritje të një marrëveshjeje pas Brexitit janë pauzuar, sepse Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, kanë thënë se vazhdojnë të ekzistojnë “mospajtime të konsiderueshme”. Michel Barnier dhe David Frost kanë thënë se kushtet për marrëveshje në mes të të dyja palëve nuk janë arritur. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe kryeministri britanik, Boris Johnson do të diskutojnë situatën të shtunën.
Çështjet lidhur me peshkimin, subvencionet e ndihmës shtetërore dhe zbatimi i rregullave të reja, vazhdojnë të jenë çështjet kyçe në negociata. Duke publikuar deklarata identike në Twitter, Barnier dhe Frost kanë thënë: Pas një jave të negociatave intensive në Londër, dy shefat negociatorë janë pajtuar sot që kushtet për marrëveshje nuk janë arritur për shkak të mospajtimeve të thella për çështje të qeverisjes dhe peshkimit.
Më herët gjatë ditës, një zëdhënës i kryeministrit Johnson ka thënë se qeveria “është e përkushtuar për të punuar shumë që të tentojë të arrijë një marrëveshje”, mirëpo ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar nuk “mund të pajtohet për një marrëveshje që nuk na lejon të kthejmë mbrapa kontrollin”. Ai ka shtuar se “koha është e shkurtër dhe ne jemi në pikë shumë kritike të bisedimeve”. Të dyja palët duhet të pajtohen për një marrëveshje dhe ta ratifikojnë atë deri më 31 dhjetor, kur edhe do të përfundojnë rregullat për tregti mes BE-së dhe Britanisë në fund të muajit dhjetor.
Nëse nuk pajtohen, të dyja palët do të bëjnë biznes sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që i bie se do të aplikojnë tarifa në importet e njëra-tjetrës. Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL/