Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, duke sinjalizuar nisjen e një faze të re bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe diasporës.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi takimin si një bashkëbisedim të hapur dhe energjik, të zhvilluar në prag të Samiti i IV-t i Diasporës. Ai shprehu vlerësimin për angazhimin e anëtarëve të këtij këshilli, duke theksuar rëndësinë e kësaj marrëdhënieje të ndërtuar mbi një vizion të përbashkët.
Sipas ministrit, palët ranë dakord për riorganizimin e këtij mekanizmi, duke synuar një koordinim më të mirë të aktiviteteve dhe hartimin e një agjende të qartë vjetore, në funksion të prioriteteve strategjike të vendit.
Në fokus të diskutimeve ishte iniciativa Shqipëria 2030, si dhe roli i diasporës si partner kyç në zhvillimin e vendit. Hoxha theksoi se diaspora mbetet një faktor i pazëvendësueshëm në promovimin e gjuhës shqipe, në zhvillimin ekonomik e shoqëror, në forcimin e lidhjeve me biznesin dhe në përhapjen e vlerave kulturore shqiptare në botë.
Ai shtoi se përfaqësimi i profesionistëve dhe figurave të spikatura nga e gjithë bota krijon një mundësi reale për të kthyer potencialin e diasporës në kontribut konkret për vendin.
Takimi vjen në një moment kur institucionet shqiptare synojnë të rrisin përfshirjen e diasporës në proceset zhvillimore, duke e konsideruar atë një aset strategjik për të ardhmen e Shqipërisë.










