Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka reaguar me anë të një postimi në Facebook ndaj akuzave të ish-deputetit të PD të qarkut Fier Luan Baçi, të bëra para disa ditësh. Përpos faktit që Gonxhe ka sqaruar se në fakt problemi që kishte  kolaudimi në Fier nuk ishte për faj të DPSHTRR, por për faj të sistemin SgS, një privatizimi të qeverisë PD-LSI, kreu i DPSHTRR ka shkuar më tej duke sjell fakte të tjera ndaj Baçit. Kështu Gonxhe ka nxjerrë në shesh dhe një të vërtetë të madhe që implikon ish-deputetin Baçi. Në reagimin e tij në Facebook Gonxhe shkruan se Baçi duke treguar modelin si duhet të qevriste kishte privatizuar për veten e tij një pjesë të pronës publike pranë DPSHTRR në Fier. Teksa publikon fotot, ai shkruan:

“Para ca ditësh lideri vizionar i PD-së, Fier, Luan Baçi, qe revoltuar për hallet e fierakëve te kolaudimi! Bukuri deri këtu, veçse situata lidhej jo me DRSHTRR Fier por me sistemin e SGS, konçesionari privat që e ka marrë atë punë përsipër 11 vjet më parë, kur qeveriste PD-ja e Luan Baçit! Tani dy fjalë e ca foto fakte për ish-deputetin, prijësin opozitar të Fierit, qarku i tretë nga rëndësia në rang vendi, e ardhmja dhe shpresa e fierakëve sipas tij: Fotot pasqyrojnë sesi do e qeveriste Fierin, apo çdo detyrë nesër, udhëheqësi Luan Baçi – Ai, siç flasin qartë fotot, do ndante një copë trualli publik e do ta privatizonte për veten e tij, për të hapur mejhane në oborrin e drejtorisë së shërbimeve të transportit rrugor ku vetë punonte si Drejtor! Jo shofer, jo pastrues, jo roje – DREJTOR (nga 2008-a deri në 2013-ën)! Sikur të mos i mjaftonte batërdia me targat e patentat, donte edhe kafet e salçiçet t’i shiste vetëm ky, aty! Natyrisht ne ja kemi mbyllur me mur aksesin e çibanit tek oborri ynë i rilindur (sepse përveç të tjerash na lanë trashëgim një objekt shërbimi publik vaki) por shëmtia monumentale e aktit të tij vlen si një ekspoze e gjallë e “vizionit” ç’të na bjerë në dorë e rrëmbejmë, e shëmtojmë, e pastaj dalim protestojmë për hallet e kombit”.